Për Gilman Likën sezoni i sivjetëm duket se është më i miri, ndërsa ka spikatur me lojën e tij jo vetëm te Vllaznia, por edhe në kombëtaren U-21. Për këtë arsye, ai ka tërhequr vëmendjen e menaxherëve brenda dhe jashtë vendit, të cilët i kanë ofruar variante për të lëvizur në skuadra të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Po përgatitet për në Bullgari, por në mes është futur edhe Tirana, e cila e kërkon me ngulm shërbimin e tij. E megjithatë, Vllaznia akoma nuk e ka dhënë verdiktin, nëse do ta lëshojë apo jo.
Në fakt, edhe vitin e kaluar Lika ka qenë personazh i përfolur për të lëvizur nga Vllaznia, kur "grepat" më të mëdhenj i pati lëshuar presidenti i Elbasanit, Arben Laze, por qëndresa e drejtuesve kuqeblu nuk i hapi rrugë kërkesës së tij, që u përsërit edhe në merkaton e gushtit, në prag të këtij sezoni futbollistik. Sinjale patën ardhë edhe nga bardheblutë e Tiranës, por jo deri në atë pikë sa për të këmbëngulur.


Kuzmanovski-Hafizi, në garë për Likën

Stevica Kuzmanovski i Sllavies së Sofjes dhe Astrit Hafizi i Tiranës, janë dy trajnerët e vënë në garë, se kush do të mund ta marrë në ekipin e tij mesfushorin e talentuar shkodran Gilman Lika. Maqedonasi i pankinës së skuadrës bullgare ia ka besuar misionin e blerjes së këtij lojtari menaxherit Rudi Vata. Ish-futbollisti i njohur i kombëtares kuqezi, pas një interesimi në distancë në drejtim të Likës, tashmë është lidhur më nga afër me të dhe ka marrë kontakte direkte në Shkodër, duke patur si mbështetës edhe xhaxhain e Likës, Agronin, ish-futbollist i Vllaznisë, që sot luan në ligën amatore gjermane. Por, ndërsa bullgarët e Sofjes po përgatiten të bisedojnë me presidentitn e Vllaznisë, Valter Fushaj, për një marrëveshje financiare lidhur me kalimin e Likës te Sllavia, në skenë ka dalë skuadra bardheblu e Tiranës. Ndërkohë që në Sofje janë në pritje të sinjalit të Vatës, për të udhëtuar drejt Shkodrës, kampi bardheblu i Tiranës ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Duke qënë më afër Shkodrës, burimet thonë se donatorët tiranas janë mbledhur dje paradite dhe, pasi kanë marrë drejtpërdrejt edhe pëlqimin e teknikut Astrit Hafizi, në mënyrë unanime kanë vendosur për të financuar blerjen e mesfushorit shkodran dhe i kanë telefonuar menjëherë futbollistit. Lajmi është mëse i saktë, aq sa është shumë i besueshëm edhe hapi tjetër, kur katërshja e donatorëve ka ngarkuar menaxherin Sokol Haxhija të nisë tratativat me presidentin Fushaj, për veshjen bardheblu të Gilman Likës. Megjithëse jo në rrugë zyrtare, mësohet edhe shuma që Haxhija i ka ofruar presidentit shkodran për ta lënë të lirë Likën, shifrat e së cilës janë në kufijtë e 50 mijë eurove. E, megjithatë, përgjigja e shkodranëve ka qënë negative, të paktën kështu thuhet për momentin, duke i shtuar edhe atë që Fusha mund të jetë dakord, ndoshta për një shifër tri herë më të madhe në një transfertë jashtë vendit, se sa për taë lejuar Likën të luajë në kampionatin shqiptar. Orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kanë patur të reja të tjera në drejtim të "çështjes Lika", por, për aq sa thuhet, problemi i tij do të vijojë të jetë në rendin e ditës për kampin kuqeblu, jo vetëm për ofertat që vijnë në adresë të tij, por edhe sepse në valle është futur dhe tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa. Sipoas burimeve, gjithçka përflitet rreth titullarit të formacionit kuqeblu, nga Josa nuk është duke u parë me sy të mirë, pasi, për të vijuar rrugën e sukseseve në krye të kuqebluve, atij i duhen në skuadër futbollistë të tjerë si Lika, dhe jo të firmosë largimin e tij.

       
Sport Ekspres