Dy lojtarë janë thuajse të larguar nga skuadra. Dy të tjerë janë në ikje, kështu që gjërat duket se nuk janë në rrugën e duhur te Vllaznia. Largimi i katër lojtarëve nga kontigjenti aktual i skuadrës do të thoshte një dobësim i saj, megjithatë ai që ka siguruar tifozët kuqeblu se skuadra nuk do të prishet, përkundrazi do të rregullohet, është vetë presidenti Valter Fushaj. Ky i fundit, në një prononcim të shkurtër dje, ka thënë se në ditët në vijim gjërat do të vijnë duke u rregulluar. "Vllaznia nuk ka arsye të mendojmë se është duke u dobësuar. Vërtet nga skuadra mund të ikë ndonjë lojtar, por kjo nuk do të thotë se skuadra do të prishet. Ajo që dua të theksoj unë është sesa u takon dy lojtarëve të rinj, Sukajt dhe Likës, ata mund të largohen nëse u vijnë oferta të mira nga jashtë. Nuk është e arsyeshme t'i pengojmë ngaqë janë të rinj dhe karrierën e kanë përpara. Klubi u ka vënë një kuotë financiare të caktuar ekipeve që duan t'i marrin dhe, nëse i paguajnë ato, mund t'i bëjnë pjesë të tyre. Këto lekë nuk është se do të kursehen, sepse do të harxhohen për të blerë lojtarë të tjerë, por siç e thashë, dëshira është për të mos i penguar që të bëjnë emër dhe karrierë diku në Europë," ‑ ka thënë numri një i klubit shkodran. Sakaq Simo përfundimisht duket se i ka dhënë lamtumirën Vllaznisë, sepse drejtuesit e kësaj skuadre e kanë konsideruar të panevojshëm një lojtar të tillë. Pak më ndryshe është problemi i Leandros, i cili ka shfaqur vetë dëshirën për të mos u kthyer më nga Brazili, ku ka shkuar për festat e fundvitit, ngaqë në skuadër nuk ka gjetur hapësirat e duhura të aktivizimit. Në këtë mënyrë, kemi vetëm emra të larguar dhe të tjerë që janë në rrugë e sipër. Ndërkohë, në ardhje nuk ka ende asnjë emër. Presidenti Fushaj nuk nxitohet në këtë drejtim dhe për rrjedhojë duket tepër i matur në çdo lëvizje që është duke bërë. Ai nuk ka shumë dëshirë t'u besojë menaxherëve të huaj, sepse lojtarët që ata propozojnë nuk kanë shumë garanci në aftësitë e tyre. Kësisoj, gjërat janë duke u shoshitur mirë dhe si rrjedhojë po shikohen mirë gjërat. Nga pista e vendit janë dy‑tri oferta, që kuqeblutë u kanë bërë disa lojtarëve, por ende nuk është saktësuar asgjë me ta. Po ashtu mund të vijë edhe ndonjë lojtar nga jashtë, megjithatë kjo mbetet për t'u parë në ditët në vazhdim. E rëndësishme është që drejtuesit e Vllaznisë kurrsesi nuk e mendojnë me humbje rezultatin e merkatos së dimrit. Pra, që të ketë më shumë të larguar sesa të afruar. Kjo sepse skuadra ka ende objektivat e saj në lojë dhe për t'i realizuar ato duhet patjetër të vijnë lojtarë cilësorë. Garancia që ka dhënë presidenti Fushaj për këtë çështje duhet marrë në konsideratë, sepse paratë janë në lojë. Mbetet për t'u parë se kush do të vijë në Shkodër. Tifozët kuqeblu e presin me ankth këtë çështje, sepse në jo pak raste kanë mbetur të zhgënjyer nga lëvizjet që janë bërë në merkato.

 Dalipi & Nallbani, përgjigjja vjen nesër

Janë dy nga alternativat e Vllaznisë në merkaton e janarit. Klevis Dalipi dhe Ilir Nallbani janë kontaktuar nga drejtuesit shkodranë, kanë marrë ofertën e duhur dhe për pasojë pritet vetëm përgjigjja e tyre. Kështu bëjnë të ditur burime pranë klubit kuqeblu, të cilët theksojnë se për të dy lojtarët është dhënë vistoja edhe nga ana e trajnerit Josa. I pari mendohet të jetë alternativë për të mbushur boshllëkun që krijon largimi i Sukajt, ndërsa i dyti konsiderohet zgjidhja më e mirë për qendrën e mesfushës. Klevis Dalipi duket se ka pak probleme me prishjen e kontratës që ka me Shkumbinin, por kjo gjë mund të marrë një zgjidhje nesër, ditë kur e ka lënë t'u kthejë përgjigje edhe shkodranëve. Po ashtu, edhe kosovari që ka luajtur me Elbasanin, Ilir Nallbani, është duke i studiuar ofertat që i kanë mbërritur dhe si rrjedhojë ka deklaruar se edhe ai do të kthejë përgjigje nesër. Drejtuesit e klubit të Vllaznisë shpresojnë që përgjigjet e tyre të jenë pozitive, në mënyrë që të plotësojnë radhët e ekipit të tyre, i cili ende pretendon për të dy trofetë, kupë e kampionat.

Vllaznia, interes edhe për Abazajn e Bejzaden

Klubi shkodran, duke e bërë fakt të kryer largimin e Xhevahir Sukajt, ka nisur tratativat për gjetjen e një zëvendësuesi ideal për të. Një ndër lojtarët e piketuar për këtë arsye është edhe lojtari i Tiranës, Oriand Abazaj. Një ofertë e tillë duket se i ka mbërritur këto ditë lojtarit, por asgjë nuk bëhet e ditur zyrtarisht. Ajo që duket e sigurt është se klubi shkodran nuk ka ndër mend të hyjë në problemet që lojtari mund të ketë me kryeqytetasit. Për Vllazninë, interesi për Abazajn do të jetë real vetëm nëse ai do të jetë lojtar i lirë. Nga ana tjetër, një interes të kuqebluve ka edhe për Skerdi Bejzaden, një njohje e vjetër e tyre. Lojtari herë pas here ka deklaruar se edhe mund të largohet nga Elbasani dhe për rrjedhojë ata do të jenë të parët që mund ta shfrytëzojnë një fakt të tillë. Siç shikohet, pistat e shkodranëve janë disa dhe për rrjedhojë do të mundohen të bëjnë më të mirë në merkato për të gjetur lojtarët e duhur.

Sporti Shqiptar

Komentet