Fitorja e së dielës me Elbasanin është vlerësuar shumë pozitive nga ana e të gjithë pjesëtarëve të skuadrës shkodrane. Futbollistë, trajnerë, drejtues klubi, por edhe tifozët, e kanë konsideruar atë njëkohësisht shumë të rëndësishme për të ardhmen e Vllaznisë. Duke qenë kështu, atmosfera në kampin kuqeblu është inkandeshente dhe si rrjedhojë njerëzit kanë filluar të bëjnë edhe plane për të ardhmen. Diferenca prej katër pikësh me kreun konsiderohet plotësisht e arritshme dhe si rrjedhojë të gjithë tashmë mendojnë se Viti i Ri mund ta gjejë skuadrën në pozita tepër komode.

Por ndërkohë strategu i këtij ekipi, Mirel Josa, nuk mendon krejt kështu. Sipas tij, gëzimi tashmë duhet ndalur dhe duhet menduar për ndeshjen e radhës ndaj skuadrës kryesuese të kampionatit. "Nuk më pëlqen të mendoj apo të shprehem se kjo fitore na solli më afër pretendimeve tona, njëkohësisht edhe kreut. Fituam një ndeshje ndaj Elbasanit dhe kaq. Duhet të gëzojmë disa orë për këtë ndeshje dhe më pas të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Aq më tepër kur do të luajmë ndaj Dinamos, një skuadër shumë e fortë, e cila jo më kot është në krye të renditjes. Për rrjedhojë, nuk ka pse të mendojmë për kreun, kur i kemi edhe dy skuadra të tjera para nesh në renditje.

Ky është mendimi im dhe atë do të mundohem t'ua ngulis në kokë edhe lojtarëve," ka thënë trajneri i kuqebluve. Sakaq ndaj Elbasanit shkodranët përgjithësisht zhvilluan një ndeshje të mirë dhe Josa është i kënaqur për këtë. Kjo duket qartë edhe në fjalët e tij, kur thotë: "Pjesa e parë është interpretuar shumë mirë nga ana jonë, pavarësisht se kundërshtari kaloi i pari në avantazh, si rrjedhojë e ekzekutimit perfekt të një goditjeje standarde. Megjithatë, pavarësisht kësaj, skuadra reagoi mjaft mirë dhe jo vetëm barazoi, por e kërkoi golin e avantazhit që në pjesën e parë, por u kjo gjithsesi u arrit në pjesën e dytë.

E rëndësishme është fitorja dhe po ashtu edhe fakti se skuadra ka reaguar mirë në këto ndeshjet e fundit, duke dhënë më të mirën e saj në fushën e lojës." Gjithsesi, Josa sidomos në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Elbasanit është parë të jetë shumë nervoz në stol si rrjedhojë e lëshimit të lojës nga ana e skuadrës së tij dhe për pasojë fitorja u vu në dyshim. Megjithatë, vetë Josa, duke mos i kushtuar rëndësi këtij fakti, e ka kaluar me humor atë, duke thënë: "Nervoz? Nuk është hera e parë që bëhem ashtu. Në futboll duhet të mësohesh me shumë gjëra.

Ne vërtet patëm një tërheqje në pjesën e dytë, por duhej ta kishim shfrytëzuar këtë fakt. Nëse krahët do të kishin punuar më mirë, sigurisht që do të kishim shënuar edhe një gol të tretë. Gjithsesi, edhe dy mjaftuan, sepse fitorja u arrit." Në këtë ndeshje kanë shënuar të dy sulmuesit kuqeblu, Sinani dhe Sukaj. I pyetur në lidhje me këtë të fundit se çfarë do të thoshte për të, Josa i ftohtë është përgjigjur:

"Sukaj ka shënuar? Kjo është puna e tij, të vazhdojë të shënojë sërish për veten dhe për skuadrën." Në këtë mënyrë, shkodranët i gëzohen fitores që vjen pas dy barazimeve radhazi në "Loro Boriçi" dhe si rrjedhojë edhe e ndeshjeve të rivalëve të saj, ajo sheh veten vetëm katër pikë nga kreu. Nuk janë as pak, por edhe as shumë për t'u rikuperuar, por ata sigurisht që kalojnë pikësëpari nga sfida e kësaj të shtune me Dinamon.

Sporti Shqiptar

Komentet