Xhevahir Sukaj ka zhvilluar një prej ndeshjeve të tij më të mira të dielën, kundër Elbasanit, ku edhe shënoi golin e parë për Vllazninë. Kuqeblutë fituan 2-1, falë golave të shënuar nga sulmuesi i ri dhe veterani Vioresin Sinani. Loja e Sukajt u vlerësua me nota pozitive jo thjesht për golin e shënuar, por edhe për veprimet e shumta në ndihmë të skuadrës. Vetë sulmuesi shprehet tepër i kënaqur me fitoren e arritur përballë skuadrës që para dy sezonesh e përkrahu talentin e tij. “Ka qenë një takim i vështirë për ne, sidomos pas pësimit të golit”, thotë Sukaj. “Ishim të vendosur për të marrë fitoren dhe nuk mund t’i lejonim më vetes të tjera gabime, pas dy barazimeve radhazi. Zhvilluam një takim të mirë dhe mendoj se me këtë përgatitje dhe me këtë nivel loje mund të kërkojmë me të drejtë renditje më të mirë”. Për Sukajn ishte goli i dytë i sezonit, pas atij të shënuar në Lezhë, kundër Besëlidhjes. “Ishte një gol që më ka kënaqur shumë, pasi më mungonte prej kohësh me ekipin tim. I shënova ekipit me të cilin jam shpallur kampion e ku kam shumë miq dhe kjo ndoshta më shtoi emocionin”, rrëfen lojtari. Para golit me Vllazninë, ai kishte shkëlqyer në dy ndeshjet e Kombëtares U-21, në të cilat shënoi katër gola, tre kundër Ishujve Faroe dhe një kundër Greqisë. Duket se kjo ka qenë një shtysë dhe një tregues i nivelit në rritje të lojtarit. “Golat me skuadrën Shpresa më ndihmuan shumë për të gjetur golin e munguar edhe me Vllazninë”, thekson Sukaj, që tashmë shpreson t’i ketë lënë plotësisht pas problemet. Ecuria e deritanishme nuk ka qenë e kënaqshme për të, por pas ndeshjes me Elbasanin gjërat do të flasin me gjuhë tjetër. “Mund të them se problemet e mia kanë filluar të zgjidhen. Unë gjithashtu kam filluar të ndihem mirë. Jam shumë optiomist se do të vij në rritje nga ndeshje në ndeshje, duke dhënë maksimumin. Shpresoj që edhe Vllaznia do të jetë në rritje pas çdo ndeshjeje, në kërkim të objektivave që kemi”, thotë Xhevahir Sukaj.

Panorama Sport

Komentet