Një tjetër barazim. Një tjetër dështim mund të konsiderohet ai i arritur të shtunën në darkë ndaj Besës. Në fakt, ai 1-1 është plotësisht i justifikueshëm, sepse shkodranët luanin përballë skuadrës kryesuese të kampionatit, por gjithsesi ka vend edhe për kritika. Madje të forta për një skuadër që është ndërtuar për të fituar. Të paktën ky ka qenë lajtmotivi i saj gjatë merkatos së verës dhe presidenti Fushaj sigurisht që ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për të sjellë në skuadër lojtarë cilësorë. Rezultatet e arritura nga ky grup lojtarësh në këto 11 javë të fazës së parë nuk e justifikon aspak këtë besim dhe investim të presidentit. Vetëm 17 pikë të grumbulluara ndër 33 të mundshmet, pra gati gjysma e maksimales, tregon më së miri sa është gabuar në këtë fazë. Dhe për më tepër në Shkodër, ku janë lënë plot 7 pikë, teksa është arritur një humbje, dy barazime dhe dy fitore.
Ndërkohë, në ndeshjet jashtë Vllaznia ka arritur të njëjta shifra, si në "Loro Boriçi" me 2 fitore, 3 barazime dhe vetëm një humbje. Vllaznia është e katërta në renditje pas fazës së parë dhe në pamje të parë ky është vendi ideal për këtë skuadër për ato çfarë ka dhënë në fushën e lojës. Para saj janë në renditje tri skuadra, ndaj të cilave shkodranët nuk kanë arritur të fitojnë. Ndaj Partizanit dhe Dinamos kanë humbur, ndërkohë që me Besën janë ndarë barazim në shtëpi. Vetë disa prej lojtarëve të ekipit kuqeblu e kanë të qartë se kaq është forca e tyre. Këtë mbase e ka të qartë edhe trajneri Josa, që megjithatë kërkon të jetë diplomatik pas çdo ndeshjeje, duke mos dhënë asnjëherë përgjigje për gjendjen reale të ekipit që ai drejton. Mbi të gjitha, te Vllaznia aktuale mungon konkurrenca. Kjo sepse disa nga lojtarët që janë blerë në fillim të këtij sezoni nuk kanë rezultuar aspak blerje të goditura. Për ta vërtetuar këtë mjafton të marrim ndeshjen e fundit me Besën. Në këtë ndeshje, tre futbollistët e huaj që janë në radhët e kuqebluve ose nuk kanë luajtur ose kanë luajtur dhe nuk kanë dhënë asgjë në fushën e lojës. Delain, Leandro e Simo nuk kanë qenë asnjëri në formacionin bazë ndaj kavajasve. Madje braziliani nuk është përfshirë fare as në 18 she për këtë ndshje nga ana e Josës. Trajneri e shpjegon me formën jo të mirë të tij, megjithatë ky është një minus i madh për Vllazninë.
Leandro është blerë me shumë bujë dhe prej tij është pritur shumë. Mosaktivizimi do të thotë një forcë më pak për këtë skuadër. Blerja tjetër, ajo e Delainit, edhe kjo deri tani nuk i ka justifikuar aspak paratë që janë shpenzuar për të. Në ndeshjet e fundit nuk ka luajtur titullar, ndërkohë që ndaj Besës hyri në pjesën e dytë në vend të Kotrrit dhe, në vend që prej tij të pritej rregullimi i lojës, kemi parë në fushë një lojtar që dukej se kishte ndër mend ta vononte atë. Një lojë e ngadaltë, topa të vonuar dhe më shumë të kthyer prapa, thjesht asgjë. Ndërkohë, afrikani tjetër Simo nuk dihet pse është blerë kur ai vetëm sa stërvitet me këtë skuadër, duke mos qenë pjesë e formacionit bazë të Vllaznisë që prej ndeshjeve të para të kampionatit. Këta të tre mendojmë se mjaftojnë për të thënë se skuadra prandaj është këtu ku është. Pa përmendur pastaj edhe 2 3 futbollistë të tjerë, që ende nuk po japin atë që pritet realisht prej tyre. Duke qenë kështu, mbeten ndeshjet deri në fund të këtij viti për të parë më konkretisht se çfarë do të ngjasë dhe pastaj për të pritur janarin, ku surpriza të shumta mund ta shoqërojnë Vllazninë në merkato.

Sporti Shqiptar

Komentet