Në mungesë të kapitenit dhe vet eranit të portës shkodrane, Armir Grima, në takimin e fundit përballë Kastriotit, shiriti i ka kaluar pikërisht lojtarit që ndodhet në një formë të shkëlqyer në këto momente, siç është mbrojtësi mjaft elegant dhe një nga më të mirët e kuqebluve në këtë fillim sezoni, Admir Teli. Ndoshta shiriti në krahun e tij nuk është për herë të parë, por kësaj radhe ky shirit ka qëlluar të jetë i suksesshëm për kapitenin, po ashtu edhe për ekipin e tij. Ai shprehet shumë i kënaqur për një fakt të tillë, pasi sipas tij, gjithçka ka qenë një meritë e padiskutueshme e gjithë pjesëtarëve të skuadrës në atë ndeshje. “Shiriti më solli mbarësi jo vetëm mua, por edhe ekipit, pasi arritëm të shënonim që në sekondat e para të takimit, madje golin më të shpejtë tonin. Megjithatë, për gjithçka merita e kësaj fitoreje i takon asaj ecurie mjaft të mirë të ekipit në këtë takim, dhe jo nga shiriti në krahun tim, pasi kjo mendoj se nuk luan asnjë rol”, thotë Teli. Ndërkohë që përsëri ai vazhdon me idenë se qenia e tij kapiten do të ketë më tepër sukses në rezultate te skuadra e Vllaznisë. “Nëse duam përsëri të fitojë skuadra, atëherë le të ma lenë mua shiritin e kapitenit edhe në Durrës”. Por për kapitenin në sfidën e fundit me krutanët, ajo që çaloi tek ekipi shkodran ishte pikërisht vetëkënaqësia që u shfaq dukshëm në pjesën e dytë. Mesa duket ekipi shkodran ende nuk kërkon që të tregohet i pamëshirshëm për kundërshtarët e tij, një vetëkënaqësi që jo rrallëherë ka ndëshkuar edhe skuadra me shumë emër në futboll. “Për lojën mund të them se ne u vetëkënaqëm në pjesën e dytë të takimit. Për mendimin tim, pjesa e parë ishte më e mira e zhvilluar deri më tani nga ana jonë. Jo vetëm se gjetëm shumë shpejt golin, por edhe sepse luajtëm një lojë të mirë në të gjitha aspektet. Ndërsa në pjesën e dytë ne lëshuam në lojën tonë dhe rrezikuam shumë, por jo deri aty sa të vinim në diskutim rezultatin. Pastaj gjithçka kishte atë fund që pritej, një fitore që për ne në këtë takim ishte shumë e merituar”, nënvizon mbrojtësi i Vllaznisë, Admir Teli.

Panorama Sport

Komentet