Fitorja e së dielës me Kastriotin është arkivuar nga ana e drejtuesve dhe futbollistëve të Vllaznisë. Kuptohet, do të ketë edhe pak vend për t'u ndalur te dobësitë e vërejtura në këtë ndeshje, në mënyrë që ata të rikuperohen në ditët në vijim, por tashmë e gjithë vëmendja është e përqendruar te ndeshja e radhës me Teutën. Tripikëshi ndaj krutanëve nuk vlen aspak nëse nuk merret pikë në Durrës dhe mundësisht fitorja, që do rregullonte shumë gjëra. Mundësitë për ta arritur këtë janë dhe për më tepër kjo fitore duhet arritur medoemos, sepse 5 janë arsyet pse duhet të ndodhë kështu. T'i japim me radhë ato. E para, Vllaznia ka 6 vjet e gjysmë që nuk fiton në "Niko Dovana". Eshtë më se e vërtetë kjo sepse u referohemi statistikave të ndeshjeve të fundit dhe në të vërtetë duket pak e çuditshme. Ndeshjet e kuqebluve në Durrës këto sezonet e fundit kanë qenë një problem më vete. Gjithnjë objektivi ka qenë fitorja, por janë arritur vetëm dy barazime dhe, siç e thamë, fitorja e fundit përkon me datën 28 prill 2001, kur shkodranët do të fitonin 2 1 falë golave të Sinanit dhe Martinit. Që atëherë, disfatat filluan të bëhen modë, madje dhe ato me nga 3 gola të pësuar. Për këtë arsye, këtë radhë duhet tentuar fitorja ndaj "djemve të detit".
E dyta, fitorja ndaj Teutës duhet arritur sepse është kushti i vënë nga presidenti Fushaj. Siç është bërë e ditur, para ndeshjes me Kastriotin ai deklaroi se kërkonte nga skuadra e tij tri fitore radhazi dhe e para u arrit me krutanët. E dyta u takon ndaj durrsakëve për të mbërritur te ndeshja e tretë me Flamurtarin në Shkodër. Edhe ky takim është i mundshëm për t'u fituar dhe problemi mbetet në Durrës. Futbollistët e Vllaznisë për këtë arsye do të bëjnë maksimumin për të marrë tri pikët dhe për t'u "pajtuar" me presidentin e tyre. E treta, një fitore në takimin e radhës, i dyti për nga seria prej 4 ndeshjesh në këtë kampionat, do të thoshte premio për kuqeblutë. Siç është bërë e ditur, presidenti Fushaj ka aplikuar një skemë të veçantë premiosh në këtë kampionat, duke u bazuar te pikët e grumbulluara çdo 4 ndeshje. Dhe nëse në katërshen e parë kuqeblutë dolën huq, tashmë shpresat për të marrë premio janë më të mëdha. Eshtë barazuar në Lezhë dhe në Tiranë, u fitua me Kastriotin dhe kësisoj në tri takime janë grumbulluar 5 pikë. Nëse fitohet në Durrës, kapet kuota e 8 pikëve dhe secili pjesëtar i skuadrës së Vllaznisë do të shpërblehet me nga 500 dollarë. Nëse ndodh ndryshe, edhe barazimi nuk vlen, sepse me 6 pikë e poshtë të grumbulluara, kuqeblutë gjobiten. Për këtë arsye, premiot janë një arsye më tepër pse në Durrës do të tentohet fitorja.
E katërta, duhet fituar ndaj Teutës sepse krijohet kështu vazhdimësia e rezultateve pozitive të Vllaznisë. Ajo nuk humbet prej 4 takimesh dhe për rrjedhojë një tjetër ndeshje e kaluar pa u ndalur do të thoshte shumë për të. Aq më tepër që kalendari edhe në vijim flet në favorin e tyre. Dhe arsyeja e pestë dhe e fundit, Vllaznia do të kërkojë fitoren në takimin e radhës për t'u ngjitur edhe më tej në renditje. Fakti që ajo sot është e gjashta nuk thotë asgjë, sepse pretendimet janë për shumë më lart. Duke mos gabuar vetë dhe duke shpresuar te përballjet e kundërshtarëve, shpresohet shumë te ngjitja në renditje edhe këtë javë.

Komentet