Një tjetër humbje as që e kishte çuar ndër mend. Po ashtu, as vendin e parafundit në renditje. Valter Fushaj, presidenti i Vllaznisë, ndihet "i tradhtuar" nga të besuarit e tij. Ishte munduar të ndërtonte një ekip pretendent me lojtarë të zgjedhur, por këta të fundit nuk e kanë vënë aspak "ujin në zjarr" për këtë punë, por janë paraqitur shumë dobët në tri javët e para të kampionatit. Duke qenë kështu, duket se ka ardhur momenti që të ndërhyhet në skuadër. Për këtë arsye është vendosur që presidenca të ketë fillimisht një takim me stafin e ekipit dhe më pas me të gjithë futbollistët. Ajo që parashikohet është marrja e ndonjë mase ekstreme ndaj ndonjërit prej futbollistëve. Këtë e ka pranuar në njëfarë mënyre edhe vetë presidenti Fushaj, në prononcimin e tij për "Sporti shqiptar":
Fushaj, skuadra juaj ka koleksionuar një tjetër humbje, këtë radhë me Partizanin. Si jeni ndier?
- I dëshpëruar. Ndaj Partizanit kurrsesi nuk duhej të kishim humbur, por ja që ndodhi. Ne vërtet e kontrolluam lojën, por nuk arritëm të krijojmë asnjëherë një aksion të bukur, të godasim siç duhet portën kundërshtare dhe, kuptohet, pastaj vjen edhe humbja, e cila është shumë e rëndë. Vllaznia është e parafundit pas tri javësh kampionat.
Çfarë do të thotë për ju ky fakt? Të them të drejtën, nuk më vjen aspak mirë që gjërat kanë shkuar në këtë mënyrë. Jemi në vend të parafundit, ende nuk kemi arritur të fitojmë një ndeshje dhe për më tepër nuk kemi shënuar asnjë gol. Janë tregues që flasin vetë, por kurrsesi asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar një nisje të tillë.
 
Për këtë duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, sepse në skuadër ka lojtarë të mirë dhe nuk jam në gjendje të shpjegoj se çfarë po ngjet. Meqë nuk jeni në gjendje ta shpjegoni këtë situatë, atëherë kush duhet ta bëjë këtë? Në radhë të parë, stafi dhe pastaj futbollistët. Ata paguhen për këtë punë dhe ata duhet të japin shpjegime se çfarë po ndodh. Dhe kur do të ndodhë kjo? Ne, si presidencë, jemi mbledhur dje tepër të shqetësuar mbi situatën e krijuar dhe kemi rënë dakord që fillimisht duhet të bisedojmë shtruar me stafin drejtues të ekipit. Takimi me ta do të bëhet gjatë ditës së sotme (dje). Ajo çfarë do t'u kërkoj pjesëtarëve të stafit është arsyeja pse ekipi ndodhet në këtë gjendje. Ata do të japin arsyetimet e tyre dhe njëkohësisht do t'u kërkoj edhe rrugët që mendojnë të ndjekin për të dalë nga kjo situatë. Në raste të tilla krizash, i pari që e pëson është trajneri.

A ekziston edhe te ju kjo ide?
- Përgjigjja është e prerë: jo. Them kështu, sepse nuk di të ketë ndonjë problem pse duhet të ikë trajneri. Nga informacionet që kam, di që Josa nuk ka asnjë problem me lojtarët dhe marrëdhëniet mes tyre janë shumë korrekte. Përderisa nuk ka konflikt në këtë mes, nuk ka pse të mendojmë për ndërrimin e trajnerit, por do të ndalemi te disa futbollistë, të cilët nuk po përkushtohen siç duhet në stërvitje dhe në ndeshje.
Pra, do të ketë edhe një takim tjetër me futbollistët?
- Patjetër. Ky do të jetë takimi më i rëndësishëm, sepse do të dëgjohen të gjithë futbollistët. Do t'i pyesim se çfarë nuk shkon, sepse duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë. Kështu nuk mund të vazhdohet, sepse në skuadër kemi edhe futbollistë që nuk përkushtohen siç duhet si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Gjobat në adresë të ekipit janë bërë të ditura.
A mund të ketë edhe ndonjë masë tjetër në këtë takim me skuadrën?
- Ende nuk është vendosur gjithçka në këtë drejtim, por mund të konfirmoj faktin se mund të ketë edhe ndonjë futbollist të pezulluar apo të përjashtuar.

Sporti Shqiptar