Trajneri Mirel Josa është mes 4-4-2 dhe 4-3-3, sepse kërkon më shumë grintë në lojën ofensive Një javë kohë për të saktësuar mënyrën e të luajturit për ndeshjen e radhës. Kaq është afati që trajneri Josa ka në dispozicion për të përcaktuar gjithçka në lidhje me vendosjen e ekipit të Vllaznisë në fushën e lojës në takimin e radhës me Partizanin. Dilemat janë disa dhe për këtë arsye stafi drejtues i kuqebluve, megjithëse ka filluar kampionati, ende nuk e ka vendosur skemën fikse të lojës. Idetë janë të shumta, mundësitë po ashtu, por ai që vendos është realiteti. Mes një 4 4 2 shi dhe një 4 3 3 ende nuk është e qartë se kush do të triumfojë. Mbase mund të kthehet sërish në klasiken 3 5 2, por Josa nuk e pëlqen shumë. Ai është simpatizant i lojës sulmuese dhe për këtë arsye dëshiron të ndërtojë një skuadër me shumë grintë në manovrën ofensive. Edhe kontigjenti i lojtarëve që ka në dispozicion nuk është i keq për këto ide, por gjërat nuk janë shumë të qarta në prapavijë. Dëshira e trajnerit është ta kalojë kongolezin Delain në mesfushë edhe për faktin se ai ka vizion loje dhe për më tepër edhe gjendja fizike e tij duket shumë e mirë. Por një kalim i tillë ende nuk është i sigurt, sepse Kraja ende nuk ka dhënë garancinë e kthimit në gjendjen e tij më të mirë. Ndoshta se ka gati 9 muaj që nuk luan rregullisht dhe për këtë arsye ka pak frikë në aktivizimin e këtij shtatlarti në qendër të mbrojtjes. Megjithatë, forma e mirë që po kalon Teli është një garanci më tepër për qendër e këtij reparti. Pak probleme në lojën e tij duket se ka shfaqur edhe mbrojtësi i majtë, Kapaj, në miqësoren me Tërbunin, por kjo nuk i alarmon gjërat. Nga ana tjetër, në mesfushë duket se gjërat janë më të lehta. Osja, Delain e Leandro janë emra vërtet sugjestionues, veçse braziliani duket se ka probleme fizike, prandaj dhe nuk ka dalë ende në lojën e tij. Në sulm do të luhet me tre lojtare, të paktën kjo është ideja, ku Nora e Kaçi në krahë do të kenë në majë Sinanin. Dy anësorët do të kenë edhe detyra mbrojtëse dhe në këtë mënyrë në momentet kur është kundërshtari në aksion skema e Vllaznisë mund të kthehet në 4 5 1. Me këtë skemë paraprake mendohet të luhet ndaj Partizanit, por në miqësoren me Tërbunin, kur kanë luajtur këta 11 futbollistë, jo gjithçka ka shkuar mirë, sidomos në pjesën e parë. Për këtë arsye ekzistojnë dyshimet nëse duhet luajtur me këtë skemë apo ndryshe, aq më tepër kur nuk lejohen eksperimente, ngaqë është një ndeshje shumë delikate të shtunën që vjen. Ajo që mbetet është të verifikohet në ditët e ardhshme gjendja e secilit prej lojtarëve dhe më pas të vendoset për mënyrën e të luajturit dhe lojtarët që do të hidhen në fushë. Josa është në "hall", sepse nuk mund të lejohen gabimet, aq më tepër në këtë pikë delikate ku ndodhet Vllaznia.

Sporti Shqiptar

Komentet