Ka marrë plotësisht zgjidhje problemi i brazilianit Leandro dhe ai që nga dita e djeshme është zyrtarisht pjesë e Vllaznisë. Në mesditë ai ka hedhur firmë në kontratën që i ka afruar presidenti Fushaj dhe gjithçka është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Palët sigurisht që janë shfaqur të kënaqura me njëra tjetrën dhe shpresohet te një bashkëpunim i frytshëm në sezonin në vijim.

I pari që ka folur pas kontratës së firmosur ka qenë Valter Fushaj, njeriu që po shpenzon jo pak për të ndërtuar një Vllazni kampione sivjet. "Me Leandron bëmë realitet firmosjen e asaj kontrate me të cilën kishim rënë dakord që para se ai të vinte në Shqipëri. Firmosëm sot (dje), sapo mbyllëm gjithçka sa u takon edhe problemeve të lojtarit me klubin e Partizanit. Ne paguam të gjitha detyrimet ndaj këtij klubi, duke bërë kështu që çështja e këtij futbollisti të mbyllet dhe ai të jetë i lirë për të firmosur me ne. Kontrata është njëvjeçare dhe shpresoj shumë që Leandro ta justifikojë besimin që klubi ka shfaqur ndaj tij,"ka thënë "bosi" i kuqebluve. Edhe vetë braziliani është shprehur shumë i kënaqur me kontratën e firmosur dhe ka shtuar: "Dëshira ime u realizua dhe tashmë s\'më mbetet gjë tjetër, veçse të bëj më të mirën për Vllazninë këtë sezon, në mënyrë që ajo të arrijë objektivat e saj."

E ndërsa Leandro ka firmosur, nuk ka ndodhur kështu me futbollistin tjetër të huaj, të ardhur njëkohësisht me amerikano-jugorin te shkodranët. Sasha Delain pret vendimin e federatës dhe më konkretisht të komisioneve juridike të saj për të marrë vesh fatin e tij. Prej këtij vendimi janë të kushtëzuar edhe drejtuesit e Vllaznisë, të cilët nuk mund të firmosin me të pa e marrë vesh se ai mund të luajë për ta në sezonin e ri. Këtë e ka deklaruar edhe vetë presidenti Fushaj dje në drekë, kur ka thënë: "Për Delain nuk mund të kemi kontratë të firmosur, sepse jemi në pritje të vendimit të komisionit të apelit. Për këtë arsye i bëj thirrje FSHF së të mbledhë sa më shpejt këtë komision, në mënyrë që të merret një vendim përfundimtar për këtë lojtar, sepse nuk ka shumë kohë në dispozicion. Kampionati i ri është në prag dhe ne duam ta dimë nëse ky lojtar do të lejohet të luajë apo jo me ne." Në këtë mënyrë, kjo javë duket se drejtuesve më të lartë të klubit Vllaznia do t\'u shkojë duke u marrë me zgjidhjen e problemeve që kanë disa nga lojtarët e tyre me skuadrat e tyre të mëparshme. Pa i zgjidhur ato, sigurisht që nuk mund të vishen kuqeblu, prandaj parashikohen jo pak telashe në këtë drejtim. Megjithatë, vëmendja e shkodranëve do të jetë me sa duket e përqëndruar sërish në merkato, teksa presidenti Fushaj ka bërë të qartë se do të tentohet edhe marrja e një tjetër lojtari për sulmin. "Merkatoja jonë mund të quhet e mbyllur, megjithatë po bëjmë përpjekjet e fundit për të sjellë në skuadër edhe një sulmues tjetër dhe këtë javë besoj se kjo punë ka për të marrë fund. Kemi pretendime maksimale në sezonin e ri, prandaj dhe duhet të kemi sa më shumë lojtarë cilësorë në dispozicion," - ka thënë presidenti Fushaj në fund të prononcimit të tij.

Sporti Shqiptar

Komentet