Zhurma e madhe e krijuar ditët e fundit në lidhje me problemin e kontratës së prishur të Leandros me Partizanin duket se i ka ardhur fundi. Madje, pa qenë nevoja e një vendimi të Federatës në lidhje me këtë çështje, i cili, gjithsesi do të linte të pakënaqur njërën nga palët. Fakti që pas brazilianit në këtë rast qëndronte klubi "Vllaznia", ngaqë dëshiron ta marrë lojtarin për sezonin e ri, ka bërë që presidenti Valter Fushaj të ndërmarrë nismën për arritjen e një marrëveshjeje me homologun e tij Albert Xhani. Megjithëse presidenti i kuqebluve nuk ndodhet në Shqipëri prej ditësh, ai ka gjetur rastin ta mbyllë këtë punë edhe përmes telefonit. Këtë e bëjnë të ditur zyrtarë të klubit shkodran, të cilët e bëjnë fakt të kryer marrjen e Leandros tashmë. Duke qenë kështu, pritet që klubi i kuq të tërhiqet përfundimisht nga pretendimi i tij në lidhje me dëmshpërblimin e prishjes së kontratës nga Leandro. Kjo gjë mendohet të ndodhë në ditët në vijim dhe të hënën, ditë kur Komisioni i Disiplinës do të japë verdiktin e tij për këtë çështje, ku ajo e Leandros mund të konsiderohet e mbyllur pa u hapur mirë. Marrëveshja Fushaj Xhani nuk është e para herë që ndodh, sepse një gjë e tillë ndodhi edhe sezonin e kaluar, dhe përsëri për të njëjtin lojtar. Braziliani kishte ardhur për të luajtur me Partizanin, por e pengonte një kontratë që kishte të firmosur me Vllazninë deri në muajin tetor. Debatet e shumta u kurorëzuan me një pakt të tillë, ku futbollisti nga kontinenti i largët u lejua të luante për shkodranët deri në tetor, siç ishte kontrata, dhe më pas kaloi te të kuqtë, por edhe aty nuk qëndroi shumë, pasi u largua pa e mbaruar mirë kontratën. Për këtë arsye u krijuan edhe polemikat e fundit, në të cilat gjithsesi pala shkodrane ka qenë jashtë saj. Por duke qenë se ajo e dëshironte pjesë të saj Leandron për sezonin e ri, vendosi të ndërhynte në mes, duke arritur edhe marrëveshjen mes presidentëve. Më ndryshe qëndron puna për Delain. Ky i fundit dje ka qenë në Federatë dhe është ballafaquar me drejtuesit e Flamurtarit, të cilët pretendojnë për prishje të njëanshme të kontratës prej tij. Ndryshe mendon kongolezi, dhe këto pretendime të tija ia ka bërë të ditur dje edhe anëtarëve të Disiplinës. Nga ajo çfarë mësohet nga ballafaqimi i palëve dje në ambientet e Federatës, vlonjatët kanë kërkuar largimin e Delain përgjithnjë nga Shqipëria, duke dashur të shpallet "non grata" për të gjitha skuadrat shqiptare. Një kërkesë e tillë është quajtur e padrejtë nga Vllaznia, skuadra që dëshiron të ketë shërbimin e tij. Por Delain është dënuar 6 muaj dhe tani pritet të shohim nëse do të apelohet ky vendim dhe çfarë mase mund të ketë. Në këtë mënyrë shkodranët duken gjysmë të kënaqur nga takimi i djeshëm dhe shpresojnë që deri të hënën të arrihet e njëjta marrëveshje "xhentëlmenësh" edhe me drejtuesit e Flamurtarit, duke mos i lënë gjërat në dorë të komisioneve të Federatës.
Sporti Shqiptar
Sporti Shqiptar
Komentet