Dje kuqeblutë janë nisur drejt qytetit malazez të Nikshiqit për të zhvilluar kampingun e tyre stërvitor për fazën përgatitore, të dytën e Vllaznisë për këtë verë. Para nisjes, tekniku i ekipit kuqeblu është shprehur dhe mbi këtë javë që për kuqeblutë është përcaktuese, për sa i përket emrave të rinj që priten pranë ekipit. Mirëpo, për teknikun e ekipit kuqeblu, Mirel Josa, jo gjithçka duket se varet nga sasia. Ajo që ka më shumë rëndësi për të fuqizuar ekipin, nuk është numri i lojtarëve që do të vijnë në provë, por rëndësi ka që këta lojtarë të jenë në radhë të parë cilësorë dhe aty ku i nevojiten më shumë ekipit. "Kjo është një javë përcaktuese, për sa i përket lojtarëve që mund të afrohen pranë ekipit tonë. Kjo, jo se pranë ekipit nuk do të mund të vijnë të tjerë pas kësaj jave, por gjatë këtyre ditëve ne presim ardhjet më të shumta të periudhës së merkatos",- thotë fillimisht Josa. Merkato e skuadrës kuqeblu do të fokusohet më tepër në pikat ku sezonin e kaluar, ekipi kuqeblu vuajti më shumë, duke mos pasur numrin e duhur të lojtarëve cilësore, pikërisht ky do të jetë edhe synimi i përzgjedhjeve të Josës. Ndërkohë tekniku tiranas i shkodranve vazhdon mendimin e tij për strategjinë që duhet të ndjekë klubi në këtë merkato. "Këto afrimi duhen të jenë në radhë të para cilësore dhe për mua nuk ka shumë rëndësi numri i tyre. Sa më shumë cilësorë të jenë aq më shumë të nevojshëm do të jenë për synimet e Vllaznisë. Duhet të kemi parasysh se do të na duhen lojtarë cilësorë në rolet për të cilat kemi nevojë, dhe jo të afrojmë lojtar vetëm sepse duhet të blejmë. Kjo duhet të jetë ideja e merkatos sonë",- shprehet Josa. Tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa, përveç çështjes së merkatos ka treguar edhe përfitimet që kërkohen nga zhvillimi i fazës përgatitore në Nikshiq. Në këtë fazë do të punohet edhe me shumë për të mbyllur boshllëqet e dalluara gjatë ndeshjeve të Intertotos, dhe jo vetëm në nivelin teknik, por sidomos atë fizik. Katër takimet e Kupës Intertoto, përveç sukseseve kanë treguar edhe probleme të hasura gjatë kësaj ecurie që kanë shfaqur kanë bërë që në një farë mënyre drejtuesit e ekipit shkodran të nxjerrin dhe detyrat që duhen riparuar për vazhdimësinë. "Si çdo fazë tjetër përgatitore edhe kjo periudhë tre javore shpresojmë t'i vlejë ekipit për t'u rritur në të gjithë parametrat, për t'u paraqitur në sezonin e ri në formën më optimale. Besoj se kjo fazë përgatitore do t'i vlejë ekipit për të korrigjuar dhe ato mangësi që kemi hasur në të shkuarën",- thekson Josa. Ndërkohë që "maksimumi nga të gjithë" duket se është motoja e teknikut në këto javë të stërvitjeve malazeze. "Ajo që kërkohet nga gjithë ekipi është të japë maksimumin në këto ditë të ngjeshura stërvitore. Përpara na pret një sezon i gjatë që për ne, ashtu si edhe për ekipet e tjerë, ka filluar që tani",- përfundon tekniku i ekipit kuqeblu, Mirel Josa, para nisjes për në fazën përgatitore në Mal të Zi.
Panorama Sport
Panorama Sport