Për mesfushorin e ekipit të Besës, shkodranin Amarildo Belisha, kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. Drejtuesit e ekipit kuqeblu në fillim të merkatos kanë shprehur dëshirën për të pasur një ekip të përbërë me mbi më shumë se 70% me lojtarë shkodranë, kanë vendosur ta fillojnë këtë ndërtim pikërisht nga mesfushori Belisha. Por duket se angazhimi i lojtarit në Kupën UEFA dhe respektimi i kontratës së tij me kavajasit deri në përfundim të këtyre ndeshjeve kanë bërë që vendimi për të qenë në Shkodër për sezonin e ardhshëm të merret vetëm pas përfundimit të aventurës kavajase në Kupën UEFA. Ajo që dihet është se presidenti Fushaj i ka dhënë në dorë disa ditë më parë ofertën e tij shkodranit, i cili është duke menduar seriozisht për të këtë ofertë. ‘Unë kam respektuar kontratën me ekipin e Besës, prandaj një vendim i imi do të ishte shumë i drejtë të merret menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve në Kupën UEFA, e cila shpresojmë të shkoj më shumë se ndeshja e kthimit me Bezhanijan’,- thotë Belisha. Menjëherë pas përfundimit të takimit, futbollisti shkodran, edhe në rast kualifikimi të Besës në turin e dytë, duhet të fillojë të mendojë për ekipin që duhet të zgjedhë në sezonin e ri. ‘Edhe nëse arrijmë të kualifikohemi, që do të ishte historike për ekipin e Besës në një kompeticion evropian, mua më duhet të filloj të mendoj menjëherë për ekipin tim të ardhshëm. Mendoj se nuk kam më kohë për t’u menduar, por duhet të bëj zgjedhjen e duhur. Deri në fundjavë më duhet t’i kthej përgjigje ekipit të Vllaznisë, që më ka bërë një ofertë shumë të leverdishme. Tani koha kalon dhe mua më duhet të mendohem për ekipin, në të cilin do të aktivizohem në sezonin që vjen’,- shprehet Belisha. Objektivat e kuqebluve në çdo sezon janë thuajse të njëjta, si në çdo fillim kampionati. Shkodranët, në çdo sezon futen për të arritur vetëm majat, këtë e kërkojnë gjithmonë me një grup cilësor lojtarësh. Ky grup lojtarësh sipas Belishës, duket se gjendet edhe tek ekipi, ku ai ka luajtur në sezonin që shkoi, Besa. Megjithatë, ambiciet e presidentit Fushaj, për kompletimin e këtij ekipi mund të bëjnë që Belisha të ketë një synim më shumë për t’u bashkuar me Vllazninë. ‘Për mendimin tim, ato që mund të më shtyjnë të zgjedh njërin apo tjetrin ekip janë edhe kontingjenti i lojtarëve që kanë në përbërje. Megjithëse drejtuesit e ekipit kuqeblu po përgatiten që në këtë sezon të kenë shumë lojtarë cilësorë, një gjë të tillë mund të thuhet edhe për Besën. Pra për mua kontingjentet në të dy ekipet janë shumë cilësorë. Ndoshta edhe në këtë aspekt, zgjedhja do të jetë më e vështirë’,- thekson Belisha. Ndërkohë për lojtarin, pavarësisht se ka edhe një tjetër ekip që ka shprehur interesimin për të, balotazhi për sezonin e ardhshëm është vetëm midis Vllaznisë dhe Besës. Një zgjedhje që Belisha duhet ta marrë në fund të kësaj jave. ‘Unë kam pasur dhe një ofertë tjetër nga një ekip që nuk dua ta bëj të ditur. Por pasi kam peshuar gjithçka mund të them se vendimi im është për t’u marrë mes Vllaznisë dhe Besës’, përfundon për ‘Panorama Sport’, mesfushori shkodran i Besës, Amarildo Belisha.

Panorama Sport

Komentet