Dje në ambientet e stadiumit "Loro Boriçi", pranë ekipit kuqeblu në stërvitjen e pasdites është dalluar edhe një lojtar maqedonas i sapo ardhur pranë kuqebluve, pikërisht pasditen e djeshme. Maqedonasi, sulmues 26- vjeçar, Aleksandër Popovski që flitet se në sezonin e fundit është aktivizuar me ekipin e Pobjedës në kampionatin maqedonas. Për lojtarin e sulmit, që mund të jetë një afrim i ri i shkodranëve, duhet të pritet derisa tekniku Josa të japë viston e tij për të, mbasi ta ketë provuar më parë gjatë stërvitjeve. Ndërkohë që gjatë seancës stërvitore, pavarësisht se nuk ka qenë pjesë e ekipit, është dalluar edhe një tjetër lojtar që ka ardhur për provë te Vllaznia. Ai është braziliani 23-vjeçar Jackson Pestana, që luan në rolin e mesfushorit të qendrës. Asnjë prej drejtuesve të ekipit kuqeblu nuk mund të thotë me ekzaktësi se kush është ekipi prej nga ai ka ardhur. Ndoshta kjo do të mësohet në një komunikim të vetë lojtarin, i cili pritet që të jetë që sot në seancën stërvitore të radhës. Pranë kuqebluve është folur edhe për një senegalez që pritet të vijë nga Gjermania. Emri i tij është Luiz Gomis dhe luan si sulmues. Ndoshta personi i kontaktit i futbollistit 33-vjeçar të sulmit është futbollisti shkodran, Uliks Kotrri, që e ka shumë të vështirë për të bërë të mundur ardhjen e tij në qytetin verior të Shkodrës. Ajo që mësohet është se senegalezi ka problem me leje qëndrimin në Gjermani, dhe ka vetëm një leje qëndrimi në Belgjike e kjo ndoshta është një problem për të tërhequr një vizë drejt Shqipërisë. Megjithëse situata është e paqartë për sa i përket ardhjes së tij në Shkodër, por mësohet se bëhet fjalë për një lojtar me mjaft eksperiencë që ka qenë pjesë e ekipeve të Bundesligës gjermane, prandaj është duke u punuar që ai të mund të provohet me Vllazninë. Gomis ka qenë pjesë e ekipeve të Nurenbergut, Duizburgut dhe gjithashtu, mësohet se ka qenë pjesë e ekipit përfaqësues të Senegalit në 20 takime. Drejtuesit më të lartë të ekipit shkodran kanë premtuar se pranë ekipit do të kenë përforcime të shumta. Emrat konkretë që mund të afrohen nuk kanë munguar. Xhafaj, Mancaku dhe Lila, por edhe të tjerë përfliten se mund të afrohen, por për momentin asnjë fytyrë e re cilësore nuk është parë në Shkodër. Premtimet e presidentit Fushaj kanë qenë të shumta, dhe mbase do të mund të realizohen gjatë ditëve që ekipi shkodran do të qëndrojë në grumbullimin e Nikshiqit.

Admir Uruçi

Komentet