Java e re pritet të fillojë me “zbulimin” e lojtarëve të rinj, që do të bëhen pjesë e Vllaznisë për sezonin 2007-2008. Njëri prej tyre është edhe shtatlarti kongolez, i sistemuar prej vitesh në Gjermani, Sasa Delain, tratativat me të cilin ka kohë që kanë filluar, por me sa duket tani i ka ardhur fundi pritjes së gjatë. Vllaznia ka caktuar një datë limit, që ai duhet ta respektojë, aq më tepër që nga ana e drejtuesve të klubit atij i është dërguar edhe bileta e avionit për në Rinas. Delain nuk vjen për herë të parë në Shkodër, pasi në karrierën e tij ka dhe një aktivizim me Vllazninë, edhe pse jo shumë të gjatë në kohë. Sipas burimeve të klubit, Delain e ka pritur me dëshirë ofertën e skuadrës shkodrane dhe është i gatshëm që të bashkohet me të. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe “menaxheri” Uliks Kotrri, që ka patur kontaktet më të shpeshta me kongolezin, me të cilin është njohur nga afër gjatë viteve të aktivizimit në futbollin gjerman. Gjithsesi, nesër Delain do të udhëtojë i vetëm drejt Tiranës, pasi Kottri, që e ka kryer më së miri detyrën e dhënë nga presidenti Fushaj, ka preferuar të qëndrojë edhe ndonjë ditë më tepër pranë familjes së tij në Gjermani. Gjithsesi, mbetet për të parë, nëse Delain do të mbërrijë me të vërtetë sot në Shkodër, kur dihet që jo rrallë, në këtë kohë “pik” të sezonit turistik, vonesat kanë qenë të pranishme. Kujtojmë që tipik ka qenë rasti i Leandros, dy kampionate më parë, kur e kemi tepruar me informacionet tona për ndryshimin e datës së mbërritjes të brazilianit.

Nga klubi: Të hënën, edhe Leandro

Meqë jemi te Leandro, nga klubi ka dalë njoftimi se të hënën do të jetë në Shkodër edhe braziliani, por, nisur nga përvoja me të, na bën të jemi dyshues në korrektesën e tij. Në një farë mënyre, edhe tekniku Josa, në periudhën parandeshjeve të Intertotos, ndërsa lakohej emri i brazilianit si përforcim, përtej aftësive profesionale, nuk parapëlqente pikërisht mungesën e korrektesës së futbollistit në largimet e tij nga Shqipëria kohë e pa kohë. Sidoqoftë, përballë këtyre hipotezave, Leandro mund të ketë një qëndrim krejt tjetër në këtë rast, gjë që ia ka shprehur edhe drejtuesve të klubit Vllaznia, kur ata kanë marrë kontakt për mundësinë e riveshjes së tij kuqeblu. Ai ka premtuar se do të jetë korrekt në të gjitha drejtimet, çka do të provohet të hënën, kur Josa i ka kërkuar të jetë në grupin e futbollistëve, që ai do të drejtojë në këtë sezon.

Përgatitorja, mes Malit të Zi dhe Turqisë

Shkodranët nuk e kanë vendosur akoma se ku do ta zhvillojnë fazën përgatitore, ndërsa pistat më të mundshme janë ato Malit të Zi e të Turqisë. Të ngarkuar nga presidenti Fushaj, mjeku sportiv Zydi Çoba dhe drejtori i Marrëdhënieve me jashtë, Ardian Zaganjori, kanë parë të gjitha pikat e ofruara nga menaxherë të ndryshëm, por akoma nuk kanë vendosur. Megjithatë, nisur nga përvoja e gjatë që ka, mjeku Çoba mendon se, për aq sa kanë parë, më i përshtatshëm është kampingu i Nikshiqit, në Malin e Zi. “Në fakt, ishte Cetinja me kushte më të mira, por kishte probleme me terrenet sportive, ndaj unë them se Nikshiqi i afrohet më tepër kërkesa të Vllaznisë për përgatitje”, ka saktësuar Çoba. Ndërkohë, burime të tjera pranë stafit drejtues bëjnë të ditur se ekziston edhe një variant tjetër, ai i Turqisë, të cilën thonë se e ka parë nga afër vetë presidenti shkodran, kështu që nuk përjashtohet mundësia që skuadra të përfundojë atje. Gjithsesi, sipas programit të hartuar, ditën e mërkurë Vllaznia duhet të Shkodrën dhe do të udhëtojë drejt kampingut, ku do të qëndrojë deri pak ditë përpara fillimit të sezonit 2007-2008.

Sport Ekspres

Komentet