Ekipi shkodran po shikon mundësinë e afrimit të një sulmusi cilësor që të jetë përkrah Sinanit
 
Deri të hënën në skuadër ishin plot 5 lojtarë me karakteristika sulmuse. Më pas kanë mbetur katër, sepse Klevis Dalipi është lënë i lirë nga ana e klubit shkodran. Ky numër për momentin mund të reduktohet e duket të jetë përmirësur. Nga ana tjetër, Korçari Nora më shumë pritet të shfrytëzohet për mesfushën sesa për sulmin. Kësisoj, Sinani ka mbetur i vetëm në repartin ofensiv. Detyra për presidentin Fushaj do të jetë aspak e lehtë, sepse në pamje të parë vështirë të gjesh një sulmues "race" në qarkullim. Aq më tepër që ndonjë që është i lirë, kërkohet nga disa skuadra për rrjedhojë nuk do të jetë e lehtë për të afruar ndonje. Emrat më të përfolur janë dy, Migen Memelli e Daniel Xhafaj.
Për të parin ka qenë vetë trajneri Josa që ia ka rekomanduar presidentit Fushaj, ngaqë aktualisht ndodhet në Shqipëri dhe është pa skuadër. "Bosi" i Vllaznisë nuk ka thënë "jo", përkundrazi është bërë gati të hapë "qesen" për t'u plotësur kërkesat financiare sportistit. Megjithatë, gjërat duket se nuk kane shkuar aq mirë, sepse pogradecari nuk e ka ndër mend të qëndrojë në Shqipëri. Kësisoj, pista "Memelli" thuajse ka rënë poshtë më pas shkodranët janë hedhur te Daniel Xhafaj. Vlonjati që nuk ka firmosur ende në Rusi, me shumë të ngjarë do të jëtë sërish në Shqipëri, prandaj Vllaznia është vënë në radhë për t'u bërë ofertën e saj. Konkurrenca duket e madhe për faktin se në lojë janë Tirana e Partizani. Këto dy skuadra kuptohet që do t'i ofrojnë shuma të mëdha vetëm që të kenë shërbimin e lojtarit të Teutës, ngaqë kanë nevojë për të në skuadër. Kuqeblutë kësisoj, para se të marrin guximin t'i bëjnë ofertën financiare, duhet të maten mirë, sepse shifra duhet të jetë e lartë. Mbase jo më e lartë se ajo që kanë shpenzur për të pasur në skuadër Sinanin.
Nëse ndodhte kështu, ekuilibrat në skuadër do të prisheshin, pavarësisht se një dyshe Sinani D.Xhafaj do të ishte "e paparë". Këto dy emra është e qartë se vështirë do të luajnë bashkë, për këtë arsye shkodranët janë duke parë një pistë tjetër. Bëhet fjalë për nje kosovar, me të cilin drejtori teknik Edi Martini ka qenë në kontakt prej kohësh e pritej të ishte në Shkodër dy ditë më parë. Por kosovari 30-vjeçar çuditërisht ka përfundur në Elbasan, megjithatë drejtuesit e Vllaznisë janë duke bërë çmos të hyjnë sërish në kontakt me të. Kosovari nuk është sulmues i mirëfilltë, por vendosja e tij pas dyshes së sulmit do të rregullonte shumë gjëra, duke kaluar njërin prej Kaçit apo Norës në vijën e parë. Të paktën këto janë dilemat që shqetësojnë shkodranët. Ato kanë nevojë për një partner të Sinanit në sulm, por se kush do të jetë ai, vështirë se mund të parishikohet në këto momente.

Sporti Shqiptar

Komentet