Turqit e Trabzonsporit sigurisht që nuk i vënë në 'listë'  kuqeblutë e Vllaznisë, këtë e kanë të qartë të gjithë, edhe vetë pjesëtarët e skuadrës shkodrane. Madje ata në njëfarë mënyre e shohin këtë përçmim një gjë pozitive në favor të tyre, sepse do t'i lejojë të luajnë lirshëm të dielën. Shumëkush mendon se skuadra shqiptare do të shkojë thjesht për të kryer formalitetin e pjesëmarrjes në këtë takim. Por nuk mendon kështu trajneri i tyre, Mirel Josa, i cili para fillimit të seancës stërvitore është shfaqur shumë i bindur në idenë e tij se një ndeshje futbolli nuk është e fituar ose e humbur që përpara se ajo të luhet. Këtë ai e ka bërë të qartë nëse Vllaznia do të shkojë pa objektiv në këtë takim. 'Këtë pyetje nuk kam dëshirë të ma bëni asnjëherë tjetër sa të jem unë trajner. Kjo sepse parimi im i punës është për të luajtur si i barabartë kundër çdo kundërshtari dhe nuk ka pse të mos e provojmë edhe ndaj Trabzonsporit.

Ne e kemi të qartë se niveli i tyre është më i lartë se yni, por kjo nuk do të thotë asgjë. Do të shkojmë për të luajtur futboll dhe për të marrë maksimumin në fushë,'  ka thënë ai. Sakaq, nuk është shumë e qartë nëse ky maksimum do të thotë ndonjë rezultat pozitiv, apo thjesht edhe një humbje minimale si në Zagreb, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Josa e shpjegon edhe këtë më poshtë, duke shtuar: 'Trabzonspori është një skuadër e mirë dhe me lojtarë cilësorë. Kjo nuk do të thotë se ata e kanë ndeshjen e fituar. Këtë gjë thanë edhe drejtuesit e Zagrebit, por ne i eliminuam. Nuk është çudi të përsëritet e njëjta histori. Angazhimi ynë është maksimal dhe shpresoj që skuadra të japë sërish më të mirën e saj.' Sa i takon formacionit, duket se do të jetë ai i ndeshjes së fundit me kroatët. Pra, nuk pritet asnjë ndryshim, duke bërë kështu që edhe sulmuesi i njohur Sinani të mos e nisë sërish ndeshjen nga formacioni.
 
Këtë e ka bërë të qartë dje pasdite Josa, kur ka deklaruar: 'Sinani është e sigurt që nuk do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë, por do të jetë me skuadrën në Turqi. I vetmi problem sa i takon formacionit do të jetë ai i portierit Grima, i dëmtuar në stërvitje, megjithatë do ta shohim edhe në këta dy seancat e fundit dhe më pas do të vendosim për të." Vllaznia në këtë mënyrë niset sot për një aventurë të re europiane. Kundërshtari është me emër dhe me përvojë, njëkohësisht ka edhe lojtarë cilësorë në përbërje të tij, por kjo nuk i tremb aspak kuqeblutë. Ata vijnë nga vendi i shqiponjave dhe si të tillë vështirë se do të dorëzohen lehtë. Të paktën për t'u treguar turqve se Vllaznia nuk është pa emër e traditë në futbollin europian. Megjithatë, mbetet për t'u parë më saktësisht se çfarë do të ngjajë.

Sporti Shqiptar

Komentet