Vllaznia ka humbur thellë në Trabzon dhe rezultati 6 0 sigurisht që i ka dëshpëruar pa masë tifozët e shumtë të kësaj skuadre. Po aq të mërzitur janë dukur dje edhe vetë pjesëtarët e skuadrës, futbollistë e trajnerë, të cilët vetëm pak ditë pas atij gëzimi të madh që solli kualifikimi ndaj Zagrebit pësojnë një humbje të tillë. Me këtë gjuhë ka folur edhe trajneri Mirel Josa, i cili thotë se kurrsesi nuk e priste një rezultat të tillë. "Ka qenë e papritur për ne një humbje në shifra të tilla. Unë vërtet e kisha parashikuar shumë të vështirë këtë takim, sepse kishim të bënim me një kundërshtar shumë të fortë, por kurrsesi nuk ma merrte mendja se do të pësonim një humbje të tillë. Jemi të zhgënjyer e kjo është shumë lehtë e kuptueshme edhe sepse skuadra nuk dha asgjë nga vlerat e saj.

Mbase këtu kanë ndikuar edhe disa elementë të tjerë, siç ka qenë gjendja jo e mirë shëndetësore e 3 4 lojtarëve, që patën probleme diarreje para ndeshjes, apo dhe lodhja e rrugës. Por e thashë edhe më lart, këta faktorë nuk e justifikojnë aspak një humbje të tillë," ka deklaruar Josa për mediat. Sakaq, i ngacmuar më tej se cilët ishin shkaqet që çuan në mosdaljen në lojën e tyre të kuqebluve, trajneri i kuqebluve ka shtuar: "Disa lojtarë të ekipit tonë dhanë shenja të mira me lojën e tyre, por megjithatë nuk arritën ta marrin përpara gjithë ekipin. Pa lënë pastaj mënjanë edhe faktin se edhe vemdimet e gjyqtarit në 2 momente të golave ishin shumë të dyshimta për ne dhe kaq mjafton. Kuptohet që ishin edhe gabimet tona.

Kur pëson në një mënyrë të tillë golin e parë, pastaj edhe të dytin e të tretin, skuadra nuk ka më moral për të reaguar ndaj një kundërshtari të etur për gola." Vetë rezultati i takimit të parë e bën thuajse të pavlefshme sfidën e kthimit mes këtyre dy skuadrave. Megjithatë, Josa ka premtuar dje se Vllaznia do të mundohet të bëjë më të mirën të shtunën që vjen dhe deklaron: "Eksperimente nuk do të ketë me formacionin. Do të luajnë ata futbollistë që do të kenë gjendjen më të mirë fizike dhe objektivi ynë do të jetë për të bërë më të mirën, qoftë edhe për ta fituar ndeshjen, megjithëse e dimë tashmë se çfarë kundërshtari do të kemi përballë." Aventurës së Vllaznisë në arenën ndërkombëtare për këtë sezon po i vjen fundi, por Josa është shumë i kënaqur me katër ndeshjet e zhvilluara. "E kemi thënë saktë, këto ndeshje do t'i shërbejnë shumë vazhdimësisë së skuadrës në të ardhmen.

Sporti Shqiptar

Komentet