Disi më ndryshe është deklarata e Josës pas ndeshjes. Ai, pasi ka folur me superlativa për lojtarët e tij, ka thënë dy fjalë edhe për të ardhmen. Kuptohet, ka folur me gjuhën e një trajneri, i cili i llogarit më mirë gjërat. Megjithatë, e rëndësishme për të ishte kualifikimi i shkëlqyer ndaj kroatëve. Ai e vlerëson shumë këtë gjë, prandaj dhe thotë: "Kemi fituar dhe jemi kualifikuar ndaj një skuadre, e cila vjen nga një shkollë e njohur futbolli. Kjo nuk është pak, për më tepër që skuadra jonë nuk ishte përgatitur si duhet për këto ndeshje. Nuk dua të përmend asnjë lojtar me emër, që u dallua. Për mua në këtë ndeshje të gjithë ishin heronj. Kemi arritur të bëjmë më të mirën tonë të mundshme dhe kjo nuk është pak." Një vlerësim dhe falënderim të veçantë trajneri kuqeblu ka dhënë edhe për tifozerinë e zjarrtë të kësaj skuadre. Ajo e ka mbështetur fuqimisht atë dhe skuadrën dhe në fund të gjithë kanë gëzuar së bashku, prandaj Josa shton: "Falënderime të veçanta kam për tifozët tanë. Ata më kanë mbështetur jo vetëm mua, por të gjithë skuadrën.
Dhe kjo i dha frytet e veta, sepse lojtarët dhanë maksimumin në këtë takim. Kemi nevojë gjithnjë për mbështetje të tilla dhe besoj se do ta kemi edhe në kampionat". Ndërkohë, i pyetur nëse këtë fat si Zagrebi do ta ketë edhe Trabzonspori, trajneri i Vllaznisë nuk ka pasur shumë dëshirë të flasë për këtë çështje aty për aty. "Për këtë punë do të jem disi i rezervuar, sepse nuk mund të flasim të tilla gjëra, kur përballë do të kemi një kundërshtar shumë të fortë. Ndërkohë, skuadra jonë është e lodhur, lojtarët do të qëndrojnë dy ditë pushim dhe më pas do të mendojmë për ndeshjen e turit tjetër. Them se nuk duhet të flasim me këtë gjuhë edhe për Trabzonsporin," ka thënë në fund Mirel Josa. Vllaznia vërtet duket "e dorëzuar" përballë turqve, ende pa filluar mirë kjo aventurë, por në futboll kurrsesi nuk i dihet. Mbase edhe ata do të flasin si kroatët, që nuk na llogarisnin fare, ndërkohë që të shtunën në mbrëmje u desh të "ulen në gjunjë" para kuqebluve. Futbolli kështu e ka, prandaj dhe duhet respektuar.
Sporti Shqiptar
Komentet