Kundërshtari i Vllaznisë për turin e dytë të Kupës Intertoto, skuadra e Trabzonsporit, është një ndër klubet më të shquara të Turqisë, fama e të cilit i ka kaluar kufijtë vendës dhe ka arritur Europën. Historia e turqve është pak a shumë e njëjtë me Vllazninë, sepse edhe Trabzonspori ka rivalizuar gjithnjë me ekipet e njohura të qyteteve të mëdha, ashtu si shkodranët. Fama e arritur dhe themelimi i këtij klubi, ka qenë jo i lehtë. Klubi ka funksionuar në dy stade, ku në fillim janë formuar njëkohësisht tri skuadra amatore, Admanguçi, Karadenziguçi dhe Martispor, të cilat më vonë janë bashkuar në një klub të vetëm, me emrin Trabzonspor, që u themelua më 2 gusht të vitit 1967. Ngjyrat e fanellës janë kuqeblu. Nga sezoni 1966-67 deri në 1973-1974 ka marrë pjesë në kategorinë e dytë. Në sezonin 1974-1975 është ngjitur për herë të parë në kategorinë e parë dhe këtë sezon e përfundon në vendin e nëntë dhe gjithashtu fiton Kupën e Paqes së Qipros.

Rekordi historik i klubit është sezoni 1975-1976, ku fitoi titullin kampionë dhe arriti të kalonte me sukses duelin me skuadrat e Stambollit, Gallatasarai, Fenerbahçe dhe Beshiktash, gjë që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Ky kampionat u quajt si një koincidencë, por Trabzonspori vazhdoi ta tregonte veten në vitet e ardhshme. U arritën të fitoheshin tri kampionate radhazi, në vitet 1979-1981. Titulli i fundit është në sezonin 1983-1984, kur u fitua Kupa e Turqisë. Përveç arritjeve brenda vendit, Trabzonspori nuk ka ngelur pas edhe në kompeticionet europiane, ku është ballafaquar me skuadra të njohura. Ajo ka arritur të mundë në shtëpi ekipe si Liverpuli, Interi dhe Barcelona, madje këto të fundit nuk kanë arritur të shënojnë qoftë edhe një gol në fushën e Trabzonsporit.

Sukses historik për ta në Europë mund të quhet eliminimi në Kupën UEFA i skuadrave të tilla si Olimpik Lion në sezonin 1991-1992 dhe Aston Vila në sezonin 1994-1995. Sezonin e fundit e mbylli në vendin e 4-t, me 52 pikë, dhe fitoi të drejtën e përfaqësimit në Kupën Intertoto. Presidenti i klubit është Nuri Albairak, ndërsa trajner Zija Doçan. Senjol Gynesh është një nga emrat e njohur të futbollit turk, që është aktivizuar me Trabzonsporin, madje që ka qenë për 10 vite kapiten i saj dhe kohët e fundit ka drejtuar kombëtaren turke. Me këtë skuadër ka luajtur edhe Alban Bushi, ndërkohë që në drejtim të saj ka qenë për disa kohë ish-trajneri ynë kuqezi, Brigel.
 
Sporti Shqiptar

Komentet