Josa në krye të detyrës! Ky është lajmi kryesor që vjen nga kampi kuqeblu i Vllaznisë. Gjithçka është mësuar pak çaste përpara fillimit të seancës stërvitore të skuadrës shkodrane, që edhe dje e ka zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Që Josa do të vijonte të drejtonte stërvitjen, u pa që në momentet e para, kur ai zbriti nga makina përpara hyrjes së stadiumit, i veshur me kostumin sportiv. Por pastaj, një vonesë në dhomat e zhveshjes me sportistët, jo aq e zakonshme, krijoi keqkuptim te ata që pritnin jashtë, se mos ndoshta, Josa është duke i dhënë “lamtumirën” skuadrës, për t’i qëndruar kësisoj paralajmërimeve që kishte lëshuar në ditët e mëparshme. Megjithatë, kjo situatë nuk ka zgjatur shumë dhe, në prononcimin e tij për “Sport Ekspres”, Josa ka deklaruar vazhdimin në detyrën e trajnerit të Vllaznisë.

Indinjata ndaj vendimit të Apelit

Përpara se të fliste për vendimin e tij, nëse do të qëndronte te Vllaznia, apo jo, Josa nuk ka lënë pa prekur edhe Komisionin e Apelit. “Ishte një vendim krejt i padrejtë, i cili nuk mori parasysh asgjë nga ankimimet tona. Një komision, i cili u mblodh sa për të kaluar radhën. Aty, me përjshtimin tim, nuk u lejua asnjë nga përfaqësuesit e klubit Vllaznia për të dhënë shpjegimet e duhura”, thotë Josa, i cili më tej përpiqet të sqarojë pozicionin e tij si trajner, në lidhje me ngjarjen në ndeshjen në “Qemal Stafa”. “Jam i pastër në ndërgjegjen time dhe e kam shprehur qartë, se futja ime në fushë nuk ka qenë për të larguar ekipin, - ka shpjeguar trajneri i kuqebluve. - Një gjë të tillë ia parashtrova edhe Komisionit të Apelit, sepse ai i Disiplinës nuk ka denjuar të na dëgjojë për këtë problem. Megjithatë, ky është vendimi që ata morën dhe nuk dua ta diskutoj. Ne nuk ishim dakord me të, pasi nuk kishte asnjë masë lehtësuese nga ato të Disiplinorit”. Duke mos dashur t’i komentojë më tepër vendimet, Josa shton se “ato duhet të na bëjnë më të fortë si skuadër”.

“Nuk kam gjë me Tiranën”

I pyetur, nëse u qëndron deklaratave, që ka dhënë në “Sport Ekspres” para pak ditëve, se te Tirana nuk e duan, tekniku i kuqebluve në përgjgjien e tij nuk qëndron shumë në atë linjë, madje, përpiqet ta anashkalojë këtë temë. “Jo, nuk jam shprehur në atë mënyrë. Thjesht, unë kam thënë se në një skuadër ka njerëz që të duan dhe që nuk të duan. Personalisht, në nuk doja që hedhja e dollarëve, e cila ishte diçka e organizuar që më përpara nga njerëz të veçantë në skuadër, të ndiqej dhe nga ata, me të cilët kam patur marrëdhënie të mira te Tirana”, është shprehur Josa. Ndërsa, në lidhje me disa opinione që qarkullojnë, se në dënimin e tij kanë dorë direkte drejtuesit e Tiranës, ai nuk është i këtij mendimi, teksa thotë: “Jo, jo, nuk e ndaj atë mendim. Nuk jam njeri që shkoj me hamendje. Hamendje mund të ketë shumë, por nuk do të merrem më me pistën e dënimit. Unë do të përqendrohem në punën time me skuadrën”.

Garancia e presidentit motivon Josën

Pika më delikate, në komunikimin tonë me Josën, ishte të mësonim prej tij lidhur me vijueshmërinë në krye të pankinës shkodrane. “Kam patur disa luhatje në lidhje me qëndrimin, apo jo, në krye të Vllaznisë, gjithnjë nëse nuk do të më hiqej masa e dënimit. Por tani mund t’ju konfirmoj se do të vazhdoj punë si trajner i kësaj skuadre” thotë Josa, duke sqaruar se këtë vendim e ka marrë pasi është konsultuar edhe me presidentin Valter Fushajn, i cili i ka kërkuar të vazhdojë punën. Sipas Josës, kur është njohur me mosndryshimin e masës së dënimit ndaj tij, ai i ka kërkuar presidentit që të shikohet mundësia për të mos e mbajtur peng ai stolin e Vllaznisë, por Fushaj i ka kërkuar të vazhdojnë punën i qetë. Edhe pse e di mirë se do të ballafaqohet me probleme jo të vogëla, nëse masa e dënimit do të vijojë të jetë e pandryshuar, Josa thotë: “Do të bëjmë më të mirën në shërbim të skuadrës, për të realizuar objektivat që janë marrë, duke filluar nga Kupa Intertoto, ku kërkohet kalimi i turit të parë”. Pastaj, në mbyllje të bisedës, pak si me humor, Josa shton se “nuk e kam provuar të drejtojë ndonjëherë jashtë pankinës, as edhe me celular, por do ta shohim në vazhdim”. Pas kësaj bisede me ne, Josa është “zhytur” në stërvitje me skuadrën, madje, me një angazhim maksimal, aq sa ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve të shumtë, që ndiqnin nga afër përgatitjen e Vllaznisë.

Sport Ekspres

Komentet