Veterani kuqeblu, Armir Grima, thotë se FSHF-ja nuk i do, kështu që më mirë të luajnë në Mal të Zi

Zhgënjim, mërzi dhe mbi të gjitha dëshpërim. Ky ishte realiteti që mbizotëronte dje pasdite në stërvitjen e ekipit të Vllaznisë. Pasi kanë mësuar mbi vendimet e komisionit të apelit, i cili la në fuqi ato vendime të dhëna nga disiplina, shkodranët duken tepër nervozë. Sipas pjesëtarëve të kësaj skuadre, problemi nuk është se u dënua një trajner, disa lojtarë, apo u dhanë disa gjoba ndaj tyre dhe klubit. Problemi është se të gjitha ato janë të pabaza. Kështu të paktën pretendojnë shkodranët, duke iu referuar edhe rregulloreve të vetë federatës. Po ashtu, edhe pjesëtarët e tjerë të këtij ekipi flasin me tepër mllef ndaj këtij institucioni dhe hallkave të tij, që e shohin Vllazninë si armiken e tyre më të madhe. Ai që ka folur dje për këtë çështje ka qenë portieri Grima, një nga të ndëshkuarit e kësaj çështjeje me gjobë, ngaqë ka prishur imazhin e lojës sportive në ndeshjen Tirana‑Vllaznia, sipas vendimit të Disiplinës.

Veterani i portës shkodrane është dënuar vetëm ngaqë ka shkuar për të përqafuar Sinanin, shokun e tij të ngushtë, por njëkohësisht kundërshtar në atë takim, në momentin e shënimit të golit prej tij. Duke folur dje për gazetën "Sporti shqiptar", ai shprehet: "S'më vjen keq që gjoba ndaj meje nuk është hequr, sepse ato lekë u duhen zyrtarëve të federatës për të kaluar pushimet. Por absurditeti më i madh qëndron në faktin se nuk është falur as trajneri Josa dhe as kolegët e mi që u dënuan në mënyrë të padrejtë. Them të padrejtë, sepse Vllaznia nuk mund të duronte dot "napolonin" dhe dollarët, prandaj vendosi ta braktiste fushën e lojës dhe kjo ndodhi përkohësisht. Ne nuk u morëm me çështjen e gjyqtarit, pavarësisht se ishte gol me dorë. Po të jetë puna me reagimet ndaj gjyqtarëve, të gjithë e dinë se kampionati do të mbaronte me dy ose tri skuadra nisur nga ato çfarë kanë ndodhur me ta në ndeshjet e këtij kampionati.

Ndërsa në Shkodër asgjë nuk ka ndodhur dhe asnjëherë, fusha jonë ka qenë gjithnjë shembull në këtë drejtim." Në qytetin më të madh verior tashmë është e qartë për të gjithë: Vllazninë askush nuk e do. Kjo u pa qartë nga koalicionet e skuadrave të tjera, që ia vodhën vendin e dytë kësaj skuadre dhe tashmë edhe me dënimet e dhëna ndaj saj po paragjykohet. Në të gjitha ambientet sportive të Shkodrës prej ditësh është hedhur ideja që skuadra e tyre të shkëputet nga kampionati shqiptar dhe të aderohet në kampionatin fqinj të Malit të Zi. Këtë mendim e ka dëgjuar edhe portieri Grima, madje ai nuk ngurron ta bëjë edhe publik në prononcimit e tij. "Kam dëgjuar shumë njerëz ditët e fundit që thonë se do të ishte më mirë të luanim në kampionatin malazez.
 
Unë pas vendimeve të fundit të komisionit të apelit, e mbështes plotësisht një ide të tillë. Meqë askush nuk na do dhe gjithnjë jemi të sulmuar si nga federata, ashtu dhe gjyqtarët, po u them drejtuesve të klubit tonë t'i bëjnë një propozim federatës malazeze për të kaluar në kampionatin e saj. Për ne do të ishte më mirë, natyrisht edhe për faktin se aty kemi shumë më tepër shanse të dalim në kupat e Europës, sepse rivaliteti është më i vogël dhe është më e lehtë të dalësh kampion. Në Mal të Zi madje do të ishim më të respektuar nga sa jemi këtu në vendin tonë," ‑ ka thënë Grima në fund të prononcimit të tij.

Sporti Shqiptar

Komentet