Problemet te skuadra e Vllaznisë nuk kanë të sosur. Pas bërjes publik të faktit se disa nga titullarët e kësaj skuadre hezitojnë për momentin të firmosin kontratat e reja, nga dita e hënë (mblidhet Apeli) mbase ajo do të jetë edhe pa trajner. Çdo gjë varet nga Komisionit i Apelit pranë FSHF së, i cili ka në dorë faljen apo mbajtjen në fuqi të dënimit 6 mujor dhënë nga Disiplina në adresë të trajnerit të kuqebluve Mirel Josa. Ky i fundit edhe dje e ka quajtur krejtësisht të pabazë këtë dënim, duke u shprehur se do jetë edhe vetë prezent në federatë për të ankimuar këtë çështje sëbashku me drejtuesit e klubit shkodran. Sipas tij, nëse Apeli nuk e fal plotësisht, atëherë ai do të japë dorëheqjen nga drejtimi i Vllaznisë, sepse nuk mund të bëhet pengesë e kësaj skuadre nëse vazhdon të jetë i dënuar. Duke qenë kështu, problemet për skuadrën shkodrane shtohen gjithnjë e më tepër. Presidenti Fushaj duket jo pak i shqetësuar në lidhje me situatën e krijuar, por megjithatë vazhdon ta mbajë veten, duke shpresuar se kjo situatë do të zhbllokohet shpejt.

Në fakt vetë ai i kishte menduar gjërat ndryshe, teksa mendonte se me një pjesë të mirë të lojtarëve që kishte kontaktuar, tashmë do t'i kishte kontratat e firmosura, duke nisur nga ajo me Dabullën e Dalipin, Kaçin dhe për të shkuar te Sinani. Asnjëri prej tyre ende nuk ka firmosur, ndonëse një gjë e tillë bëhej punë e kryer. Arsyeja nga sa kuptohet është se të gjithë hezitojnë të hedhin firmë, por ata duan garancinë se Vllaznia do te jetë një ekip pretendent sezonin që vjen. Madje duke u ndaluar te kjo kërkesë, ajo shoqërohet edhe me tjetrën: do të firmosë Sinani, apo jo.

Golashënuesi më i mirë i kampionatit të fundit shikohet si "barometri" i merkatos së kuqebluve. Nëse ai do të firmoste, atëherë të tjerët nuk do të hezitonin ta hidhnin firmën, sepse për shumat e kontratës duket se është arritur kompromisi. Për këtë arsye edhe Dabulla e Dalipi, që kishin premtuar se do të ishin në skuadër dje ose sot për të nisur stërvitjen, e kanë shtyrë këtë gjë për të hënën. Në këtë mënyrë deri dje blerja e vetme e Vllaznisë ishte ajo e Norës, ndërkohë që janë larguar nga skuadra deri më tani Bejzade, Gudjabi, Miroci, Vukçeviç e Radusinoviç. Siç shikohet, deri tani kuqeblutë janë të humbur nga merkatoja, por shpresohet që kjo diferencë në emra, por edhe në cilësi, të rikuperohet ditët e ardhshme. Pa u marrë pastaj me rastin e trajnerit, kur shpresohet te falja e Josës, sepse ndryshe problemet do të koklaviteshin edhe më tepër.

Sporti Shqiptar

Komentet