Kanë nisur dje përgatitjet e Vllaznisë për ndeshjen e Intertotos. Një nisje me probleme për kuqeblutë, të cilët nuk kanë qenë të plotë në stërvitje. Kështu, përgjigjja e shumëpritur e Sinanit nuk është dhënë dje. Kjo bëhet e ditur nga burime pranë skuadrës shkodrane, ndërkohë që as lojtari dhe as presidenti Fushaj nuk kanë pasur dëshirë të përgjigjen për këtë çështje pasditen e djeshme. Megjithatë, nga ajo çfarë mësohet, sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptar ka kërkuar edhe 3 4 ditë leje për të dhënë përgjigje, sepse, sipas tij, në lojë është një ofertë shumë e mirë nga një ekip zviceran. Duke qenë kështu, Sinani nuk ka thënë as "po" dhe as "jo", siç pritej, por një çështje e tillë është shtyrë sërish. Kuptohet që ky vendim i tij ka lënë të dëshpëruar tifozët e shumtë kuqeblu që kanë qenë të pranishëm në seancën e djeshme dhe e kanë pritur me shumë dëshirë Viorin. Ndërsa për "Këpucën e artë" shpresat nuk janë shuar, përkundrazi, janë ende të gjalla, gjendja në ekipin e Vllaznisë dje nuk ka qenë shumë optimiste. Kështu në stërvitjen e parë të zhvilluar pasdite në stadiumin "Loro Boriçi", përveç Sinanit, nuk kanë qenë të pranishëm edhe shumë lojtarë të tjerë nga kontigjenti që mbylli sezonin e fundit.

Kështu siç pritej, Dabulla e Dalipi nuk do të ishin prezent dhe mund të bashkohen me skuadrën në stërvitje nesër ose pasnesër. Por nga ana tjetër nuk kanë qenë as Ahi e Hoti. Dy lojtarët në fjalë dje paradreke kanë pasur një takim me presidentin Fushaj në lidhje me kontratat e reja dhe ky takim duket se nuk është mbyllur ashtu siç duhet, përderisa lojtarët nuk kanë dalë në stërvitje pasdite. Sakaq Ahi për gazetën ka thënë se nuk dola në stërvitje ngaqë nuk e kam firmosur ende kontratën e re dhe përderisa kjo nuk është bërë ende realitet, nuk kam pse të dal në stërvitje. Por problemet nuk mbyllen këtu. Një tjetër futbollist i formacionit bazë kampionatin e kaluar, pikërisht malazezi Vukçeviç, dje ka qenë në Shkodër dhe u ka bërë të ditur drejtuesve të Vllaznisë se nuk mund të jetë pjesë e skuadrës për Intertoto, ngaqë periudha e huazimit nga Buduçnosti ka përfunduar dhe ai duhet të kthehet tek ish skuadra e tij.

Po ashtu, malazezi tjetër, Radusinoviç, ka bërë "divorcin" përfundimtar me kuqeblutë. Në stërvitje, nga sa kuptohet, kanë munguar shumë lojtarë, ndërkohë që ka pasur dhe ardhje të reja. Kështu binte në sy Arlind Nora, blerja e fundit e Vllaznisë, ashtu si dhe mbrojtësi shkodran Elvis Kraja, që pritet të luajë me këtë skuadër për Intertoto, gjithnjë nëse drejtuesit e Iraklisit e lejojnë. Po ashtu, ka qenë edhe Arsen Beqiri, një tjetër i rikthyer në skuadër pas një viti aktivizimi me Shkumbinin. Trajneri Josa, para fillimit të stërvitjes, është shqetësuar nga fakti se skuadra nuk ishte e plotë (në stërvitje ishin vetëm 3 titullarë të vjetshëm, Osja, Lici e Teli).

Sporti Shqiptar

Komentet