Pas përfundimit të sezonit, për herë të parë për mediat ka folur edhe ish-drejtori sportiv, Eugent Zekaj. Tani që ka përfunduar çdo gjë, ai është shprehur i gatshëm për të rrëfyer shumë arsye, të cilat e bënë të dorëhiqej nga klubi shkodran. Ai ka prekur gjatë fjalës së tij totalisht drejtuesit e Vllaznisë, duke i fajësuar në njëfarë mënyre për atë që ndodhi.
Si e përjetuat rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë?
Kam qenë i përgatitur shpirtërisht dhe psikologjikisht për një fund të tillë, pasi jam i pari që kam qarë e vuajtur pranë atij klubi. Ka qenë si një torturë e vërtetë për mua, pasi parashikoja të keqen dhe njëkohësisht ndihesha i pafuqishëm për ta ndaluar atë. Mundësitë dhe aftësitë e mia profesionale nuk mungonin, por ato u penguan dhe frenuan për t’i vendosur në shërbim të klubit Vllaznia.
Cilat janë arsyet e vërteta të largimit tuaj?
Arsyet e vërteta janë të lidhura me zhvlerësimin e rolit tim si drejtor sportiv, me zvogëlimin e kompetencave të mia, së bashku edhe me mungesën e besimit dhe respektit në aftësitë e mia profesionale. Kjo nga ana e eprorëve të mi, sidomos që nga periudha e verës së shkuar e më pas.
Si e komentoni një veprim të tillë të ish-drejtuesve tuaj?
Të njëjtit drejtues janë po ata që edhe më kanë afruar e punësuar pranë klubit Vllaznia. Prandaj, unë nuk komentoj veprimet apo vendimet e tyre, por si çdo profesionist që mund të gjendet në një situatë të tillë, në pamundësi për ta ndryshuar atë, kam bërë dy hapa prapa dhe jam distancuar.
Meqenëse problematikat ishin që verën e shkuar, pse nuk u larguat më përpara?
Arsyeja kryesore është se deri në muajin dhjetor, kam qenë referent i UEFA-s pranë klubit Vllaznia, për projektin e skuadrës U-19 në UEFA Youth League. Kur ndërmerren bashkëpunime dhe projekte me UEFA-n, ato duhen respektuar e dërguar deri në fund. Falë punës së mirë në këtë drejtim, sot Vllaznia gëzon vlerësimet maksimale nga UEFA së bashku me të drejtën e vazhdimësisë së projekteve të tjera ndërkombëtare në bashkëpunim me institucionin më të lartë të futbollit në Europë.
Po me ndërrimin e trajnerëve në muajin tetor, pas dorëheqjes së Cungut dhe ardhjes së Gjokës, menduat se mund të ndryshonit gjërat për mirë edhe për situatën tuaj?
“Moti i mirë shihet që në mëngjes” themi në Shkodër. Nuk kam qenë në dijeni dhe nuk jam pyetur fare as për dorëheqjen e të parit (Cungut) dhe as për emërimin e të dytit (Gjokës). Shembull i qartë ky, i zvogëlimit të rolit dhe funksioneve të mia si drejtor sportiv. Prandaj, do të ishte budallallëk, sikur të mendoja apo shpresoja që do të ndryshonte situata ime për mirë, përkundrazi, ajo u rëndua edhe më shumë.
Cila do të kishte qenë mendimi apo rrugëzgjidhja juaj, si drejtor sportiv në atë rast?
Mendimi im duhej të merrej atëherë nga drejtuesit dhe jo sot nga ju. Megjithatë, ju përgjigjem njëlloj siç jam shprehur në zyrat përkatëse pas asaj lëvizjeje të gabuar. Personalisht, nuk do të kisha pranuar dorëheqjen e profesor Cungut, të paktën deri në merkaton e janarit. Së dyti, jo pas kurrizit, por me dijeni të tij, vetëm nga ai moment do të kisha filluar të bisedoja e mendoj për alternativa të tjera, në rastin se ai nuk do të kishte ndryshuar mendje edhe në janar. Fakti i pranimit të dorëheqjes të parit dhe emërimi i menjëhershëm i të dytit, flet qartë që lojërat ishin bërë me kohë dhe pas kurrizit.
Ju jeni i mendimit që më mirë dhe më i aftë do të kishte qenë Cungu se Gjoka?
Respekti dhe vlerësimi im është i njëjtë për kolegët në fjalë. Pa dyshim, të dy ata janë profesionistë të fushës dhe njohës të mirë të kampionatit shqiptar. Mendimi im lidhet vetëm me faktin, që ndërrimi i stafeve është bërë në momentin e gabuar dhe në formën jokorrekte profesionalisht. Jeta na ka mësuar që kur një rrugë ndërmerret gabim, vështirë që ajo do të dërgojë në destinacionin e duhur, siç edhe ndodhi në fund.
Cila mund të jetë arsyeja që nuk jeni pyetur në klub nga ana e drejtuesve tuaj?
Arsyeja mendoj se ka qenë drejtësia dhe korrektësia ime profesionale, që shkonte në kundërshtim me linjën e tyre për të pasur çdo gjë nën kontroll dhe administrim. Këtë mendim e kam krijuar, pasi gjatë punës time si drejtor, shpesh unë evidentoja problematikat e ndryshme dhe afroja rrugëzgjidhjet e duhura, por drejtuesit më kundërshtonin dhe nuk aprovonin ato, sidomos nga periudha e verës së shkuar dhe më pas.
Mund të na jepni ndonjë shembull me këtë rast, për ta kuptuar më mirë?
Patjetër. Verën e shkuar, për shembull, të gjithë mbajmë mend problematikat e lidhura me vonesën e zhbllokimit të fondeve dhe si rezultat zhvillimin jo në kohë, të fazës përgatitore. Unë një problematikë të tillë e kisha parashikuar shumë më përpara dhe pa filluar vera, kam arritur të mundësoj realizimin e një faze përgatitore në Peruxhia të Italisë, me kosto zero. Transport, hotel, ushqim, qendër sportive, etj, çdo gjë gratis, plus dy ndeshje miqësore, me dy skuadra të Serisë A dhe B në Itali. Përmes këtij projekti, jo vetëm do të kursenim mijëra euro, por edhe do të krijonim e hapnim bashkëpunime dhe horizonte të reja profesionale për klubin tonë. Nuk u aprovua nga eprorët e mi dhe u hodh poshtë si projekt. Ky është një shembull konkret që si duket shkonte në kundërshtim direkt me linjën e tyre për të administruar dhe pasur nën kontroll çdo gjë ata vetë.
E pabesueshme çfarë tregoni. Ju lutem mund të na jepni edhe ndonjë shembull tjetër?
Sa te doni. Mangësia e bazës së duhur materiale, për shembull duke filluar nga rrjetat e portave dhe duke përfunduar te veshjet, sidomos pranë akademisë është një nga problematikat që njohim të gjithë. Unë për dy vite radhazi kam gjetur rrugëzgjidhjen e kësaj problematike. Po të njëjtën markë sportive që përdorte Vllaznia, kam mundësuar ta sjell si sponsor pranë klubit. Përmes marrëveshjes me atë markë, do të përfitonim deri në 40 mijë euro bazë materiale gratis, plus edhe 10 mijë euro të tjera në rastin e realizimit të objektivave. Gjithashtu, mundësoja edhe rrugëzgjidhjet e justifikimeve të drejtuesve, që përdornin për të kundërshtuar një projekt të tillë, por ata njëlloj nuk e aprovuan atë.
Kështu del që drejtuesit tuaj paskan qenë më të interesuar që të shpenzojnë nga arkat e klubit dhe jo ta kursejnë atë?
Ku përfundojnë të drejtat e mia, fillojnë ato të të tjerëve. Unë nuk komentoj vendimet e tyre, edhe pse opinionin tim e kam krijuar me kohë dhe e mbaj për vete. E rëndësishme për mua është që unë jam munduar të bëj maksimumin dhe të jap më të mirën, në rolin dhe detyrën që mbuloja.
Po në lidhje me merkaton, keni afruar rrugëzgjidhje që nuk janë aprovuar si rastet më lart?
Patjetër, pa fund. Mjafton t’iu përmend rastin e sulmuesit Guri, që doja ta sillja në Shkodër përpara se të shpërthente te Kukësi, por që nuk u mbështeta si drejtor nga eprorët për ta rikthyer te Vllaznia. Po ashtu, edhe për të talentuarin Hebaj, për të cilin insistoja t’i garantonim me kontratë aktivizimin si titullar për një përqindje të caktuar të ndeshjeve. Në këtë mënyrë, nuk do ta humbisnim atë, përkundrazi do e kishim fituar dhe favorizuar më shumë si lojtar. Shembujt janë me të vërtetë të shumtë që do të kishin sjellë progres te Vllaznia, por rrugëzgjidhjet dhe idetë e mia ndaloheshin apo frenoheshin që në pikënisje.
Po për shitjen dhe blerjen e lojtarëve, pavarësisht se nuk ju kanë pyetur, jeni dakord me çmimet që drejtuesit vendosnin për ata?
Absolutisht që jo. Sipas mendimit tim, si në dalje ashtu edhe në hyrje, shpesh shifrat e çmimeve nuk janë ato të duhurat dhe nuk korrespondojnë me vlerat reale të lojtarëve. Për më tepër, evidentoja edhe mangësitë profesionale në hartimin e lidhjeve dhe marrëveshjeve kontraktuale për nga ana juridike, por siç thashë më lart, aty ku përfundojnë të drejtat e mia, fillojnë ato të të tjerëve.
Pse nuk keni folur asnjëherë nëpër media, por keni qëndruar në heshtje?
Kam vuajtur në heshtje për të mos kaluar në anën e të akuzuarit si prishës i atmosferës dhe ekuilibrave në klub. Vllaznia sulmohej çdo ditë nga lajme konfliktuale të ndryshme, prandaj edhe nuk do të kishte qenë e drejtë as profesionalisht, që unë t’i shtoja ato.
Marrëdhëniet tuaja me lojtarët mësohet të kenë qenë shumë të mira, aq sa të gjithë, edhe ato të larguarit, janë shprehur pozitivisht për ju. Mos lidhet kjo me faktin se keni qenë shumë zotëri dhe i butë me ta?
Unë u jam mirënjohës atyre për respektin dhe opinionin e mirë që kanë për mua. Kjo marrëdhënie e mrekullueshme lidhet dhe ndërtohet mbi raportet korrekte interpersonale dhe profesionale të bashkëpunimit tim me ata. Të jesh i drejtë dhe profesionist, nuk do të thotë të jesh aspak i butë, përkundrazi nuk kam qenë edhe aq dashamirës me ta. Personalisht, edhe kam ndërmarrë masa të rrepta dhe vendosur gjoba shumë herë pranë klubit. Por, ato janë falur gjithmonë dhe nuk janë zbatuar asnjëherë nga drejtuesit më të lartë.
Panorama Sport