Goli është detyra e tij, ndoshta gjëja që di të bëjë më mirë. Ka shënuar 4 brenda pak javëve te Vllaznia, dyfishin e atyre që shënoi në gjysmën e dytë të sezonit te Partizani. Këtë ditë vere Sukaj do të jetë pikërisht përballë skuadrës ku ka luajtur këto 3 vitet e fundit veçuar një aventurë të shkurtër në Malajzi.
Tetorin e kaluar firmoste për të kuqtë golin e një përmbysjeje të rëndëisshme ndaj Teutës në një moment tejet delikat për Partizanin pa kordinata të asaj periudhe, por gjithsesi një dëmtim dhe mbi të gjitha ndryshimi i hierarkive në sulm e detyruan që në janar të zgjidhte Vllazninë, një lloj detyrimi ndaj ekipit të qytetit të tij dhe njëkohësisht një mundësi për të përmbushur dëshirën e aktivizimit në vazhdimësi.
Këtë të mërkurë, sytë në Loro Boriçi do të jenë mbi të me tifozerinë e Vllaznisë që kërkon një gol nga ata me shumë peshë për fatin e skuadrës, përballë Partizanit , të shkuarës jo dhe aq të largët. Sukajt i duhet të bëjë detyrën, atë që di të bëjë më mirë, kundër Partizanit skuadrës ku në këto sezonet e fundit tentonte titullin kampion.
Nuk është i vetmi ish, nëse lamtumira e Sukajt këtë dimër ishte e paqtë, një zgjidhje konsensuale, Renato Malota-n e larguan. I transferuar te të kuqtë në 2016, në më pak se dy vite u bë pjesë e një fshese rinovimi, i konsideruar i padëshiruar. Gjoka e bindi të shkonte te Vllaznia, ku i kanë mjaftuar pak javë për të fituar statusin e liderit të një mbrojtjeje që tani nuk fut më ujë, këtë të mërkurë do të ketë përballë ish shokë skuadre si Batha, Trashi, Progni apo Bardhi, me detyrën për ti ndalur në rrugën drejt portës. Sukaj dhe Malota njohin Partizanin, por edhe te Partizani Dalipi dhe të tjerët njohin mirë Sukajn dhe Malotën, kush do të dalë i fituar, një përgjigje do ta marrim në ditën e verës.
Super Sport
Komentet