Në fillimin e pjesës së dytë të kampionatit, situata te Vllaznia dukej shumë kaotike, pasi ekipi nuk arrinte të siguronte rezultate pozitive dhe kishte rrëshqitur në zonën e ‘ftohtë’ të klasifikimit. Gjëja e parë që trajneri Ernest Gjoka rregulloi për të bërë kthesën nuk ishte sulmin, i cili shënonte me ‘pikatore’, por pikërisht mbrojtjen.

Që me fillimin e fazës së tretë, prapavija e rindërtuar në janar e Vllaznisë ka qenë thuajse e pakalueshme, duke ndihmuar që të siguroheshin rezultate të cilat e kanë nxjerrë ekipin shkodran nga pozicioni ku gjendej. Me fillimin e fazës së tretë, në 6 ndeshje të luajtura, Vllaznia ka pësuar vetëm një gol, atë në disfatën 1-0 përballë Laçit, të realizuar nga Uzuni në ekstremin e pjesës së parë të takimit. Ndërkohë, në ndeshjet e tjerë kuqeblutë janë treguar solidë në mbrojtje, duke bërë të harrohej fakti se në 18 ndeshjet e luajtura në dy fazat e para, prapavija kishte pësuar 29 gola.

Gjoka ka ndryshuar mënyrën se si luan Vllaznia, duke i bërë kuqeblutë të kuptojnë se në disa ndeshje, nuk është turp të mbrohesh me shumë forca dhe të marrësh pikët që nevojiten. Kjo shihej qartë me Kamzën, ku Vllaznia rrallëherë rrezikoi portën kundërshtare, por mori atë që kërkonte në një transfertë të vështirë.

Komentet