Pasditen e djeshme, ekipi i Vllaznisë i është rikthyer sërish stërvitjes, duke nisur në këtë mënyrë përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kamzën. Ndërkohë, përpara nisjes së saj, ashtu siç ndodh zakonisht, është zhvilluara analiza e ndeshjes së më- parshme, asaj me Flamurtarin. I pranishëm ka qenë edhe administratori i klubit z. Astrit Gjyrezi, i cili në fjalën e tij para lojtarëve i ka falënderuar ata dhe stafin teknik, jo vetëm për fitoren e arritur, por edhe për lojën e bukur të zhvilluar ndaj skuadrës vlonjate.

Por, nga ana tjetër, ka kërkuar nga futbollistët të mos e ulin ritmin e punës dhe të mos kalojnë në vetëkënaqësi përpara ndeshjes së radhës, sepse kjo do të sillte shumë probleme. Më pas, ka marrë fjalën trajneri Gjoka, i cili, pasi është ndalur te ndeshja me Flamurtarin, përveç anëve pozitive që janë shfaqur, është ndalur edhe te dobësitë që ka pasur skuadra, si në minutat e para të ndeshjes, ashtu edhe në të fundit.

Numri një i skuadrës ka kërkuar nga futbollistët ta harrojnë çfarë ka ndodhur me vlonjatët sepse ajo tashmë është histori e kaluar. Pa dyshim që, sipas tij, kemi të bëjmë me një takim shumë të vështirë dhe të tillë në fakt e kanë konsideruar edhe disa nga titullarët e ekipit si Lika, Sukaj, Vucaj e Malota. Futbollistëve, ndërkohë, u është bërë e ditur se nuk do të kenë asnjë kontakt me gazetarët në këtë pragndeshje dhe i vetmi prononcim për ta do të jetë konferenca e shtypit që do të zhvillohet ditën e premte.

Komentet