Skandaloze, e frikshme dhe e turpshme për një qytet si Shkodra, por që tregon qartë se ku është katandisur Shqipëria.
Sot në Shkodër një person ka tentuar të godasë me thikë Ernest Gjokën, gjatë stërvitjes së zakonshme të Vllaznisë pasdite. Për fat, nuk ka pasur kontakt fizik dhe agresioni është shmangur, ndërsa Gjoka është në polici për deponimin.
Një ngjarje e tmerrshme, që na kthen 20 vite pas në kohë. Policia kishte kohë që ishte sinjalizuar për kërcënimet e të fortëve të Shkodrës, që kërkojnë nga Gjoka që të aktivizohen lojtarë të caktuar, por trajneri ka vijuar në rrugën e tij dhe ka denoncuar gjithçka, pa u përulur.
Policia fillimisht e mori në mbrojtje, por me sa duket vigjilenca është ulur ndjeshëm dhe sot ndodhi ngjarja skandaloze. Tre persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Në Shkodër ka njerëz që nuk kanë asnjë lidhje as me futbollin e as me qytetarinë e Shkodrës, ky quhet krim i organizuar dhe fajin e ka shteti shqiptar, që lejon që Shkodrën ta dominojnë disa familje gangsterësh.

Sport Ekspres

Komentet