Ndeshja miqësore që do të zhvillohet pasditen e së shtunës në mes ekipeve të Vllaznisë, atij "A" dhe atij "B" mund të marrë më shumë rëndësi se një test kontrolli për stafet e të dy ekipeve. Kjo sepse trajneri Gjoka kërkon të hedhë sytë edhe tek ekipi i dytë për të parë ndonjë element që mund t'i shërbejë në të ardhmen. Arsyeja është e thjeshtë se disa nga futbollistët që ka aktualisht në dispozicion, nuk po e bindin aq sa duhet. Kuptohet, bëhet fjalë për lojtarë që janë jashtë 18-shes. Në këtë kontekst, numri 1 i pankinës kuqeblu përveç Hajdarit që e ka marrë në stërvitje me ekipin e parë, ka dëshirë të shohë edhe ndonjë element tjetër tek ekipi "B".
Nga ana tjetër, trajneri i ekipit të dytë Kraja ka ngulur këmbë prej kohësh për një bashkëpunim më të mirë në mes dy ekipeve në mënyrë që futbollistët të cilët nuk luajnë tek ekipi i parë të kalojnë tek ekipi i tij sepse kjo është në të mirën e tyre. Duhet thënë se bashkëpunimi në mes dy stafeve është shumë i mirë dhe për këtë arsye në ndeshjet e ardhshme mund të ketë edhe më shumë shkëmbime lojtarësh në mes dy ekipeve.
Shkodrasport