Trajneri Cungu e nis me një befasi ndeshjen me Flamurtarin. Në portën kuqeblu vendoset i riu Sherri dhe jo Selimaj, ndërkohë që Vucaj starton sërish nga stoli.
Si kundërshtarë në “Loro Boriçi” kthehen Bicaj dhe Bushic, ndërkohë që edhe në radhët e Vllaznisë ka lojtarë, të cilët në të shkuarën kanë veshur fanellën e bregdetarëve kuqezinj. Madje, kroati Bushic ka zhbllokuar shifrat e bardha në minutën e 17-të. Tronditje për tifozët e paktë në stadium dhe skuadrën vendëse, që duhet t’i shtojë “xhirot e motorrit”. Dhe kështu ndodh, me Cungun që i orienton të tijtë të qarkullojnë topin dhe të dalin rrjedhshëm nga krahët. Vlen të evidentohet minuta e 41-të, kur Çinari gjendet i vetëm me Nurkoviç, godet fort, por portieri boshnjak i Kosovës bën mrekullinë, duke devijuar “sferën” në këndore. Duhej të vinte minuta e dytë e kohës shtesë të pjesës së parë, që kryesori Sokoli të akordonte penallti për kuqeblutë. Marku pengohet në zonën vlonjate, ndërsa nga pika e bardhë ekzekuton saktë Gocaj.
Pjesa e dytë është mjaft e zjarrtë, me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat. Ka volum të madh loje, sidomos në mesfushë, por miqtë janë të vendosur të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë, ndaj nuk jepen. Vendësit ia dalin të kenë zotërimin e topit dhe lojës, por çalon finalizimi. Ribaj me shokë e ka të pamundur të çajë murin mbrojtës të vlonjatëve, që ngjeshin radhët para portierit Nurkovic me kalimin e minutave dhe ruajnë barazimin 1-1.
Vllaznia-Flamurtari 1-1
Golat: Gocaj 45+2’ (pen) / Bushic 17’
Vllaznia: Sherri, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Marku, Tafili, Bardulla, Hasani, Çinari (Kalaja 75’), Lika, Ribaj (Kruja 66′). Trajner: Armando Cungu
Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Jakovljeviç, Mersini, Useini, Sidibe, Pollozhani (Hyseni 57′), Zhufo (Kamara 64′), Alvesh, Bushic. Trajner: Shpëtim Duro
Gjyqtarë:O.Sokoli, E.Doda, A.Koçiaj
Kartonë të verdhë: Mersini 21′, Zhufo 45′
Komentet