Superliga Shqiptare në mënyrë të rëndomtë e deri diku qesharake, është kthyer në barcaletën e famshme të ujkut që ne na tregohej kur ishim fëmijë. Dhe kur ai erdhi vërtet nuk po besohej më nga asnjeri, ashtu si ndeshjet tona sot që kur vjen vërtet një ndeshje spektakolare në Superligën tonë të lyer e përlyer, nuk besohet më nga askush. Fati e donte Vllazninë dy herë protagoniste në raste të tilla, njëherë për mirë e njëherë për keq. Nuk është shumë larg memories ajo fitore spektakolare me vlerën morale të një kampionati të fituar të Vllaznisë ndaj Flamurtarit, 3-2 në një përmbysje të çmendur në minutat shtesë. Një përmbysje e cila ashtu si dje u komentua si një ndeshje e shitur e me porta të hapura, pasi në Superligën tonë nuk gjen ndeshje të tilla, por që në fakt ata që i kanë dy lidhje me këtë sport e nuk flasin me tifozeri e kuptojnë që nuk ishte kështu. E njëjta histori ishte dhe ajo e djeshmja. Gjatë gjithë ditës së djeshme u fol dhe stërfol për porta të hapura të shkodranëve, por nëse kishte diçka anormale e gjitha ajo ndeshje, ishte "Hamzai" i Vllaznisë i kontekstit sportiv, mbrojtësi malazez, Cicmil. Nuk është e llogjikshme sesi një ndeshje të quhet e trukuar, e lënë apo aq më keq me porta të hapura kur në minutat e fundit lojtarët e Vllaznisë po shtriheshin për të fituar sekondat e nevojshme për të mbyllur ndeshjen në fitoren e tyre. Nëse një ndeshje është e trukuar nuk është e nevojshme adrenalina për ta lënë kthesën në minutat shtesë pas mbarimit të 90 minutshit total të lojës. Por nëse ka pasur diçka për tu diskutuar, ishte tradhëtia e hapur padyshim e Cicmilit. Mbrojtësi i cili duket se ka pasur përplasje të hershme me drejtuesit, zgjedh të hakmerret në këtë mënyrë duke tentuar të bëj pisë, një nga fanellat më legjendare në Shqipëri. Dhe për të vazhduar me leksionet e dhëna nga djepi i kulturës për ata që ulërasin për shit-blerje ndeshjesh dhe shesin moral, ndërsa vet janë të ndërgjegjshëm që shohin teatrin e ekipit që mbështesin gati çdo javë, tranjeri i Vllaznisë del dhe jep penalizimin me largim të merituar për malazezin. Shumë më ndryshe nga cfarë kemi parë me Tiranën, kur pas një teatri shumë herë të kuptueshëm më lehtë tranjeri i tyre nuk dha një masë të vetme për "aktorët" e tij. Përkundrazi, i justifikonte ndërsa sot janë gati të luajnë derbin e rradhës vitin tjetër, vetëm se tani jo më me Partizanin, por me Dinamon. Shumë i kuptueshëm dhe zhgënjimi i tifozave shkodranë, një humbje e tillë djeg jo pak, por ky ekip me aq pak investim të hedhur është vërtet për tu duartrokitur e për të qenë krenar. Të paktën mos e braktisni ju. Ky klub ka lindur për të dhënë leksione, me ose pa dëshirën tuaj, balta juaj nuk arrin deri në djep.

Klaudio Ndreca
 

Komentet