Vllaznia bën të qarta objektivat, teksa ndaj Flamurtarit rezultati i vetëm që kërkohet është fitorja. Kuqeblutë do të ishin të kënaqur edhe me barazimin, por synim kanë tri pikët. Ambiciet në prag të kësaj përballjeje i bëri të ditura futbollisti Antonio Marku, i cili shprehet se Vllaznia ka një besim në vetvete për një fitore në Vlorë.

“Kemi një ndeshje shumë të vështirë në transfertë përballë Flamurtarit. Historikisht, ndeshjet ndaj kësaj skuadre kanë qenë shumë të vështira, sidomos në Vlorë. Barazimi me Partizanin, edhe pse ishim shumë pranë fitores, na ka dhënë moral dhe shkojmë në Vlorë me kokën lart. Shpresojmë shumë dhe besojmë se do të rikthehemi në Shkodër me tri pikët e fitores”, theksoi mbrojtësi Marku.

Kundërshtari

Mbrojtësi i Vllaznisë e sheh ndeshjen ndaj Flamurtarit si të veçantë, për vetë pozitat e kundërshtarit, por edhe faktit që mund t’u hapë punë shkodranëve.

“Ndeshja me Flamurtarin është me dy tablo sepse Vlora është një skuadër që kohët e fundit ka pasur shumë probleme dhe kjo mund të bëjë dikë të mendojë se e kemi të lehtë atje, por nuk besoj se do të jetë kështu.

Me këto vështirësi që ka Flamurtari dhe 6 pikët që i janë hequr, do ta bëjnë ndeshjen edhe më të vështirë për ne, sepse për to është një përballje thuajse jetë a vdekje. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ne do të tolerojmë apo se do të jemi të kënaqur me barazimin. Në transfertë, edhe një pikë nuk është keq, por në çdo ndeshje ne futemi për të fituar”, ka thënë shkodrani.

Mbrojtja

Si pjesë e mbrojtjes, Marku shprehet se ky repart do vijojë që të jetë i hekurt për çdo ekip në mënyrë që Vllaznia të mos pësojë dhe portieri Agoviç të ketë sa më pak punë.
“Çdokush që futet në fushën e lojës mundohet që të japë maksimumin e tij dhe normalisht që mbrojtja është shumë e rëndësishme për një ekip. Ne kemi dhënë maksimumin dhe jemi treguar të hekurt në mbrojtje. Shpresoj ta bëjmë sërish dhe besoj se do ia arrijmë falë edhe punës së bërë”, ka vijuar Marku.

Dëmtimet e kanë shoqëruar shkodranin Marku, por tashmë është rikthyer plotësisht i gatshëm. “Për fatin tim të keq, këtë sezon më kanë ndodhur disa dëmtime, që fatkeqësisht janë pjesë e sportit, të pashmangshme dhe e rëndësishme është se si i përballon. Unë po punoj çdo ditë për të kapur formën time fizike, sepse periudha e dëmtimit ka efektin e saj në këtë aspekt”, është shprehur futbollisti.

Për mbrojtësin e Vllaznisë, kuqeblutë do vijojnë që të luftojnë në dy fronte. “Kupa është një trofe i rëndësishëm dhe kemi mundësi që të ecim edhe më shumë duke pasur parasysh edhe shortin. Për sa i përket kampionatit, e mira nuk ka fund, por e rëndësishme është që të marrim pikë sa më shumë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të jemi më të lirshëm psikologjikisht dhe të kemi mundësi të luajmë edhe më mirë. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe në secilën prej tyre ne futemi për të fituar”, ka deklaruar Marku.

Panorama Sport

Komentet