“Isha i vetëdijshëm që do të qe një ndeshje e vështirë për ne, duke pasur parasysh potencialin që ka Flamurtari, aq më tepër në një fushë ku nuk kishte pësuar asnjë humbje këtë sezon. Por pretendoja më tepër nga ekipi im në aspektin e zhvillimit të lojës.
Të jem i sinqertë, në pjesën e parë bëmë lojë të dobët dhe i dhamë kundërshtarit krejtësisht epërsinë territoriale. Nuk ishim të aftë të rrezikonim në momentin që merrnim topin për të dalë përpara. Ishim të paqartë dhe e dorëzonim topin shumë lehtë. Në kushte të tilla është e vështirë të fitosh. Megjithatë futbolli është i tillë, mund të shënosh edhe nga një goditje standarde e ta fitosh ndeshjen.
Kurse pjesa e dytë ishte krejt tjetër; Vllaznia ishte e kujdesshme për të menaxhuar lojën dhe cinike në momente të caktuara e në kundërsulm. E theksoj për të disatën herë, se këta djem kanë nevojë për më tepër besim në këmbët e tyre. Mund të kalonim edhe në 2-0 e ta mbyllnim ndeshjen, pasi me 1-0 asgjë nuk është e sigurt.
Futbolli sjell situata ku mund të fitosh edhe duke luajtur dobët. Realisht jam i gazuar për trepikëshin, por është një fitore që nuk më ka lënë shije të mirë për atë çka dhamë në fushën e lojës. Kështu që ekipi duhet të besojë më tepër, duhet të përmirësohemi, të jemi më të përgjegjshëm, të kemi më shumë personalitet dhe secili të marrë më shumë përgjegjësi.
Disa ndeshje me radhë na ka rrëshqitur rezultati nga duart pikërisht për këtë arsye, pasi humbim besimin dhe nuk arrijmë ta mbajmë topin në qarkullim. Jo më larg sëe para pak ditëve i lamë terren Partizanit dhe u ndëshkuam.
Jemi komodë si pozicion në renditje, por jo si pikë, pasi të gjitha skuadrat janë thuajse bri në bri dhe një humbje jona apo një fitore e kundërshtarit na i ndërlikon shumë pozitat. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të përpiqemi të paktën të krijojmë një diferencë nga ndjekësit, mandej të shohim përpara. Duhet të jemi me këmbë në tokë e të kërkojmë çdo gjë sipas mundësive tona, jo me kafshata të mëdha, pasi nganjëherë kafshata e madhe na ngec në fyt.
Dëshirën e kemi të madhe për t’u përforcuar në janar. Për tre muaj e gjysmë gjatë verës prita me dëshirë një ekip tjetër, megjithatë nuk u realizua asnjë nga idetë e mia. U rrënua, si puna e asaj shtëpisë që e ndërton e përpiqesh t’i vësh çatinë, por që të rrëzohet nga brenda. E tillë ishte edhe merkatoja jonë.
Në këto kushte, pres me dëshirë e me shpresë se ç’mund të sjellë janari, edhe pse dihet që janari është paksa i varfër. Megjithatë asnjëherë nuk i dihet, mund të kemi edhe ne shans ndoshta për ndonjë bingo. Edhe unë e dua lojën e bukur, e di çfarë kërkon Vllaznia e tifozi, por duhet të bazohemi te mundësitë që kemi e të marrim maksimumin.
Bushiç është lojtar i preferueshëm. Në merkaton e verës kam pirë kafe me të dhe i kam kërkuar të rrinte te Vllaznia, por u largua”.
Komentet