Katër sulmues të blerë në verën e shkuar, me një vlerë totale të kontratave të tyre, prej afro 100 mijë eurosh, por për Vllazninë golat në sezonin 2015-2016 i shënojnë mbrojtësit dhe mesfushorët. Mund të duket diçka absurd, por ky është realiteti. Ndër 36 golat e shënuar, vetëm 8 kanë “firmën” e sulmuesve, ndërsa 28 të tjerët kanë për autorë lojtarët e reparteve të tjera të kësaj skuadre. Dominojnë golat e mesfushorëve, ku spikasin ato të Çinarit, Shtubinës dhe Kalajës, ndërkohë që te mbrojtësit dominon Cicmil, me 4 golat e tij. Vetë shifrat e mëposhtme tregojnë qartë se një nga problemet e mëdha të Vllaznisë së këtij sezoni ka qenë shënimi i golit.

Në fakt, nuk u mendua ashtu. Marrja e katër sulmuesve, pikërisht e malazezit Paviçeviç, e libanezit Kdouh, e paraguajanit Martinez dhe në fund e uruguajanit Sosa, të bënin të mendosh se skuadra shkodrane do të kishte sulmin më të fortë në Superligë, por nuk ndodhi kështu. Nga të katër ata, vetëm Sosa deri diku e justifikoi veten, por edhe ai më shumë qëndroi i dëmtuar sesa u aktivizua, ndërkohë që tre të tjerët “nuk e kapën janarin”, por u larguan. Në fillim të këtij viti, ndonëse u provuan disa sulmues, firmosi vetëm Dibra, që erdhi nga Besëlidhja, por ai e justifikoi veten me 4 golat e shënuar. Në njëfarë mënyre, Vllaznia gjatë gjithë sezonit që sapo u mbyll ka luajtur thuajse pa sulm.

Shënuesit e golave të Vllaznisë

Erald Çinari – 6 gola 
Ndriçim Shtubina – 6 gola
Arenc Dibra – 4 gola
Arlind Kalaja – 4 gola
Stefan Cicmil – 4 gola
Sebastian Sosa – 3 gola
Jetmir Sefa – 2 gola
Polizoi Arbri – 1 gol
Ardit Krymi – 1 gol
Berat Ahmeti – 1 gol
Denis Dyca – 1 gol
Antonio Marku – 1 gol
Darko Paçiveviç – 1 gol
Endri Vrapi – 1 gol


 

Komentet