Pavarësisht se në media, apo në opinion, ka shumë aludime për skenarë, që mund të ndodhin në javën e fundit të kampionatit, ngaqë matematikisht edhe Bylis është ende në lojë për shpëtimin nga rënia prej Superligës, në fakt në Shkodër janë të vendosur për t’i bërë një mbyllje si duhet këtij kampionati. Trajneri Cungu, por edhe drejtuesit e tjerë të klubit, e kanë shpallur tashmë objektivin e tyre, për të zënë vendin e gjashtë në renditje. Për ta arritur këtë do mjaftonte një fitore ndaj ballshiotëve. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sepse, përderisa ata kanë ende pak shanse për mbijetesë, do të vijnë në “Reshit Rusi” për të fituar.

Megjithatë, rezistenca që do të gjejnë te kuqeblutë u jep pak shpresë. Te Vllaznia ka një optimizëm për këtë gjë. Skuadra pritet të jetë e plotë, ngaqë mungesa për arsye kartonash nuk ka dhe, përpos kësaj, kapiteni Shtubina, që për shkak dëmtimi nuk luajti ndaj Tiranës, këtë herë pritet të jetë prezent në fushë. Shumëkush mund të mendojë që arritja e objektivit, sigurimi i mbijetesës, ka bërë që kuqeblutë tashmë “të flenë mbi dafina”. Por jo. Cungu, edhe pas humbjes ndaj Tiranës, u shpreh se sigurimi i mbijetesës përmes një humbjeje nuk i jepte aspak kënaqësi, prandaj do të kërkojë që skuadra e tij të jetë e vendosur për të fituar ndaj Bylisit, të mërkurën, në orën 17:00.

 

Komentet