Pavarësisht dëshirës së madhe për të qenë në fushë, por edhe kërkesës së stafit teknik për ta patur në formacion, Ndriçim Shtubina nuk do mundet dot të luajë në takimin e nesërm, ndaj Tiranës. Kapiteni i kuqebluve u dëmtua në ndeshjen e fundit me Tërbunin dhe që prej asaj dite nuk ka mundur dot të zhvillojë një seancë të plotë me ekipin. Edhe ditën e djeshme ka dashur ta bëjë një gjë të tillë, por e ka patur të pamundur, sepse dhimbjet në këmbë nuk e kanë lejuar për një gjë të tillë.

Për këto arsye, pas një bisede me trajnerin Cungu, është rënë dakord që ai të pushojë në këtë takim dhe të mos rrezikojë, sepse mbase do të jetë më i nevojshëm për takimin e fundit të kampionatit, atë me Bylisin. Mungesa e Shtubinës mendohet të jetë e vetmja në formacionin kuqeblu, pasi dy lojtarët e tjerë, që kanë patur probleme, mbrojtësit Marku e Pjeshka, do të jenë të gatshëm për aktivizim.

Ka një pikëpyetje se kush do të luajë në vend të kapitenit në këtë takim. Një mundësi është që në sulm të aktivizohet Dibra, por një alternativë tjetër është që të jetë Kalaja në sulm dhe Çinari ta zëvendësojë këtë të fundit në krahun e majtë të mesfushës. Pavarësisht këtij fakti, objektivi i kuqebluve nuk ndryshon për këtë takim. Ata janë të vendosur për të marrë pikë në “Selman Stërmasi”.

 

Komentet