Shumë interesant takimi i zhvilluar pasditen e djeshme në ambientet e Bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës. I iniciuar nga trajneri Armando Cungu, për t’u bërë të ditur futbollistëve të tij vlerat historike të qytetit, por edhe të Vllaznisë, përreth 45 minuta ai ka ngjallur jo pak kureshtje. E pranishme në këtë takim ka qenë edhe kryebashkiakja Voltana Ademi, por edhe drejtues të tjerë të klubit. Pas fjalës së kryeqytetares së parë të Shkodrës, ka folur vetë trajneri Cungu, i cili ka shpjeguar idenë e organizimit të këtij takimi, duke thënë:

“Një kënaqësi shumë e madhe për të zhvilluar këtë aktivitet. Unë e kam patur një mendim të tillë që në momentet kur kam marrë drejtimin e Vllaznisë. Që në Ulqin, ku ishim për fazën përgatitore në janar, kisha një ide të tillë, për të bërë të mundur që të implementoj te çdo lojtar i Vllaznisë dëshirën për këtë klub dhe këtë fanellë. Ideja ishte që të ngacmoja ndjenën e gjithsecilit, por edhe përgjegjësinë që ka për ta mbajtur veshur këtë fanellë. Para çdo takimi, një gjë e tillë do të kishte vlera.



Mendoj se edhe para takimit me Teutën një aktivitet i tillë do të ketë vlerën e vet. Shpresoj që lojtarët ta kenë vlerësuar maksimalisht një gjë të tillë dhe për më tepër të vlerësojnë këtë emër dhe ta ngrenë atë sa më lart. Shpresoj dhe besoj se ky sezon të jetë i fundit, që Vllaznia përpëlitet në këto vende të rënies nga kategoria. Pas pesë sezonesh lëngim shpresojmë dhe besojmë se do të arrijmë që të gjithë së bashku ta ngremë këtë emër në majat e futbollit shqiptar”.

Por, për gazetarët kanë dhënë mendimet e tyre edhe disa nga lojtarët “jabanxhinj”, duke evidentuar vlerat e këtij qyteti dhe të skuadrës që ata përfaqësojnë.“Kishte shumë gjëra interesante ky takim, që më parë nuk i kisha ditur për këtë qytet, ashtu siç m’u duk shumë interesante dorëshkrimi autentik i një prej veprave më të famshme, siç ishte “Lahuta e Malësisë”. Çdo sportist, kur shkon tek një skuadër tjetër, kërkon që të përshtatet me atë qytet dhe të marrë nga vlerat e tij. Pas shumë qytetesh, arrita që të luaj edhe në Shkodër. Realisht mund të them se këtu ndihem shumë mirë dhe shpresoj që në të ardhmen të jem këtu, nëse do të mbetem në planet e klubit,” –  ka thënë mbrojtësi Vrapi.

Ndërsa Sefa ka shtuar: “Mua më bëri përshtypje gjithçka, se Shkodra është qyteti jo vetëm i sportit, por i kulturës dhe gjithçkaje. Për ne është nder që jemi në Shkodër dhe luajmë për fanellën e Vllaznisë”. Në të njëjtën linjë me to ka qenë edhe beratasi Arbri, që deklaroi: “Unë jam ndier si në shtëpinë time, që në momentet e para. Tani që po mësojmë më shumë për Shkodrën, dëshira është që vijoj të jem pjesë e saj edhe në të ardhmen. Por kjo nuk varet nga mua. Janë rethanat e tjera që më kushtëzojnë. Tani pres që të operohem dhe natyrisht që më vjen keq që nuk arrita të jem pranë shokëve, për të kontribuar për këtë ekip, për ta kaluar këtë situatë”.



Por, pjesë e “jabanxhinjve” te Vllaznia është edhe zëvendëstrajneri, malazezi Aleksandar Maxhar, që tha: “Vetë afrimiteti mes dy vendeve dhe mes dy qyteteve dhe gjërat e shumta që na kanë bashkuar dhe larguar ndër vite më kanë bërë që të njoh një pjesë të historësi së këtij qyteti. Përsa i përket historisë së klubit dhe emrit të Vllaznisë, mund të them se e kam mirë të ditur. Vllaznia, emri dhe figurat e saj, njihen mirë në vendin tim. Fillesat e gjithçkaje që ka lidhje sidomos me futbollin për Shqipërinë e kanë në këtë qyetet. Për mua është një kënaqësi që kontribuoj për këtë klub e për këtë qytet. Për këtë falenderoj Cungun, por edhe të gjithë drejtuesit”.






 

Komentet