Ajo që do të ndodhë pasditen e nesërme është vërtet e veçantë. Trajneri aktual i Vllaznisë, Armando Cungu, ka menduar të organizojë një takim në ambientet e bibliotekës së qytetit. Nuk ka shumë detaje, por ajo që merret vesh është se ky trajner, si një shkodran i mirë që është, ka dëshirë t’u thotë futbollistëve të tij, por edhe drejtuesve të Vllaznisë, se çfarë rëndësie ka përfaqësimi i emrit të Vllaznisë, kësaj skuadre që ka shkruar historinë e futbollit shqiptar. Kjo dallohet qartë edhe në mesazhin që u ka dërguar atyre, që ka ftuar në këtë takim, përfshi këtu edhe gazetarët.
Ja teksti i plotë i mesazhit të tij: “Përshëndetje! Ju bëj me dije se për sportistët dhe stafin e Vllaznisë ditën e enjte, datë 7 prill 2016, në bibliotekën e qytetit “Marin Barleti”, në orën 18:00, kam organizuar një takim enkas për Vllazninë, ku do t’kena mundësi të njihena me personazhet dhe vlerat historike të një qyteti, ngjyrat, shpirtin dhe emrin e t’cilit ne ngjeshim në lëkurën tonë. U ftoj dhe Ju, mir’ardhshi! Armando Cungu ….”
Ndonëse vetë trajneri i kuqebluve nuk ka dashur të zbulojë më shumë rreth këtij takimi, ajo që merret vesh është se, përveç skuadrës, stafit teknik dhe atij mjekësor, ka ftuar edhe gazetarët, por edhe drejtuesit më të lartë të klubit, përfshi këtu edhe kryebashkiaken Voltana Ademi. Nuk dihet se cili është programi, kush do të referojë apo gjëra të tjera, por gjithsesi kuptohet se do të flitet vetëm për Shkodrën dhe Vllazninë. Për të kujtuar figurat e shquara, që iu kanë lartësuar emrin atyre në vite dhe për të treguar pse jemi krenarë për to. Cungu duket se e ka patur prej kohësh në mendje këtë gjë, por duket se tani ka ardhur momenti për ta konkretizuar këtë ide.
Vërtetë emri i Vllaznisë këto vitet e fundit mund të mos ketë qenë aty ku duhet, por kjo nuk do të thotë se ai emër, ajo fanellë, ato ngjyra historike kuq e blu, mund të nëpërkëmben. E thotë vetë ai në mesazhin e shkruar gjysëm në shkodranisht “të njihena me personazhet dhe vlerat historike të një qyteti, ngjyrat, shpirtin dhe emrin e t’cilit ne ngjeshim në lëkurën tonë”. Kaq mjafton për të mësuar më shumë rreth mesazhit, që Armando Cungu kërkon të përcjellë tek sportistët e tij, por pse jo edhe tek drejtuesit, për t’u kujtuar të gjithëve se Vllaznia nuk duhet të jetë këtu ku është.
E dini kush është Shkodra dhe Vllaznia? Cungu ua tregon në bibliotekë!
Përshëndetje! Ju bëj me dije se për sportistët dhe stafin e Vllaznisë ditën e enjte, datë 7 prill 2016, në bibliotekën e qytetit "Marin Barleti", në orën 18:00. Kam organizuar një takim enkas për Vllazninë, ku do t'kena mundësi të njihena me ngjyrat, shpirtin dhe emrin e t'cilit ne ngjeshim në lëkurën tonë.
Komentet