Kuqeblutë kanë zhvilluar paraditen e sotme stërvitjen e fundit, para se të marrin rrugën drejt Ballshit, aty ku nesër do të luajnë ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Bylisit vendas. Atmosfera në kampin shkodran duket e mirë dhe trajneri Armando Cungu ka besim për marrjen e një rezultati pozitiv. Në konferencën e zakonshme për shtyp, që organizohet një ditë para ndeshjes së radhës, ai ka shfaqur optimizëm. “Në dy ndeshjet e fundit ekipi ka treguar lojëra të mira, shoqëruar edhe me rezultate shumë të mira, megjithatë për ne është vendimtare transferta e radhës me Bylisin. Një rezultat pozitiv në Ballsh na jep qetësinë e duhur për vazhdimësinë. Bylis është një ekip që duhet respektuar.

Ai mund të ketë mungesa, por nuk besoj se do të ndikojnë shumë. Bylisi është një ekip simpatik dhe këtë e ka shprehur që në dy fazët e para. Përpos kësaj, ka kontigjent të bollshëm lojtarësh. Vetëm në janar ka marrë 5 apo 6 lojtarë të huaj, pa përmendur ato vendas, apo dhe ndonjë futbollist të huazuar nga Skënderbeu, dy prej të cilëve janë edhe anëtarë të ekipeve kombëtare. Këto janë fakte që nuk gëzohemi nga mungesat që ka kundërshtari, përkundrazi, po mendojmë për mungesat tona, sepse nuk do të kemi në dispozicion Arbrin, Dibrën apo dhe Gurishtën, që ka disa javë larg skuadrës, pa përmendur disa lojtarë të tjerë, që do të jenë në fushë, por jo në gjendjen e tyre normale, si pasojë e problemeve që kanë patur,” – është shprehur trajneri i Vllaznisë.

Në fakt, gjatë kësaj jave, Cungu, here pas here ka ngritur edhe zërin në stërvitje me lojtarët e tij. Arsyen pse ka vepruar kështu, ai e bën të ditur edhe për gazetarët, kur shton: “Gjatë kësaj jave kam vërejtur edhe momente vetëkënaqësie te lojtarë të veçantë të skuadrës tonë. Nuk mendoj se është koha për të qeshur, sepse nëse mendojmë të gjithë kështu, atëherë rënia në pikiatë është e sigurtë. Iu kam kërkuar futbollistëve seriozitet maksimal në çdo seancë stërvitore, sepse këtu kemi të bëjmë maksimumin për Vllazninë, e cila nuk u përket vetëm 2-3 personave, apo Armando Cungut. Ajo i përket gjithë Shkodrës dhe këtë barrë të madhe duhet ta respektojmë të gjithë në maksimum”.

Në lojë, për takimin e nesërm, kuqeblutë kanë edhe barazimin, mesa duket, megjithatë numri 1 i pankinës së tyre ëndërron dhe dëshiron fitoren: “Barazimi ndoshta është një rezultat i favorshëm për ne, por gjithsesi duhet të synojmë fitoren, për t’i mbyllur në njëfarë mënyre që tani llogaritë me Bylisin.” Nga informacionet që jep media, klubi ballshiot do të hapë dyert e stadiumit për tifozët e vet, në mënyrë që ata të jenë sa më të shumtë për të mbështetur skuadrën e zemrës. Për Cungun kjo nuk ka asnjë problem, madje, sipas tij, do të jetë një arsye më shumë që futbollistët e të dy ekipeve të japin më të mirën në fushën e lojës.

“Nuk ka asnjë problem që Bylisi ka hapur portat për tifozët e vet, që ata të jenë sa më të shumtë në stadium. Madje, mund të them se kjo do të jetë një nxitje për futbollistët tanë, për të dhënë më të mirën e mundshme, pasi dihet se shkallët e stadiumit bosh sjellin një plogështi te sportistët. Sa më të shumtë të jenë tifozët në shkallë, aq më shumë impulse ka sportisti në fushë, për më tepër kur në fushë ke edhe kundërshtarin, për të cilin është ndeshja e jetës, ashtu siç mund të konsiderohet edhe për ne, ose më mirë të themi, e tillë duhet konsideruar.”



 

Komentet