Skuadra e Vllaznisë ka fituar sot minimalisht me rezultatin 1-0 në transfertë ndaj Bylisit në një përballje deri diku direkte në garën për mbijetesë, duke regjistruar kështu fitoren e tretë radhazi. Një sukses i çmuar ky i shkodranëve për objektivat e tyre sezonalë, teksa tashmë Vllaznia mund të konsiderohet e shpëtuar, madje në luftë për vendin e gjashtë, ku ndodhet Laçi, me vetëm një pikë më shumë se kuqeblutë. Ishte goli i realizuar nga Kalaja në minutën e 9’ të takimit, ai që i dha avantazhin shkodranëve në Ballsh, për të mbetur në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Në kampin tjetër, skuadra e Bylisit nuk di të fitojë, teksa ka regjistruar humbjen e tretë në pesë ndeshjet e fundit, për të mbetur në vend të 9-të me vetëm 21 pikë të regjistruara në 27 javë, dy më pak se Flamurtari në vend të 8-të, me një ndeshje më pak.

Pjesa e I
Pas një starti të vrullshëm për vendasit që ezaurojnë dy goditje këndi në vetëm tre minuta lojë, por pa saktësi në finalizim, miqtë nga Shkodra, në tentativën e tyre të parë ofensive, konkretizojnë përpjekjen duke kaluar në avantazh. Është Kalaja, ai që ka shfrytëzuar më së miri një top të krosuar nga e djathta, duke goditur drejt portës ballshiote, për të dërguar topin në rrjetë. Një avantazh i shpejtë që i jep luksin Vllaznisë të përqendrojë forcat e saj vetëm në administrimin e epërsisë. Nga ana tjetër, Bylisi, i detyruar nga klasifikimi, njëherësh edhe nga disavantazhi, nis të kërkojë me ngulm golin e barazimit, por pa sukses, duke shkuar drejt dhomave të zhveshjes në disavantazh.


Pjesa e II
Bylis nis fraksionin e dytë të lëjës në sulm, pikërisht aty ku mbylli pjesën e parë. Vendasit vijojnë të ushtrojnë presion ndaj Vllaznisë në kërkim të golit të barazimit, nëpërmjet tentativave të Dos Santos, Edmilson e të tjerë por herë të pasaktë në finalizim dhe herë të neutralizuar nga Dragojeviç. Nga ana tjetër, duke përfituar nga sulmi i paracionalizuar i ballshiotëve, shkodranët mund të përfitonin për të thelluar rezultatin me Bardullën që hidhet i vetëm në sulm, gjuan por topi përfundon jashtë kuadratit. Pavarësisht përpjekjeve të vendasve, si dhe shanseve të shkodranëve, asgjë nuk ndryshon nga rezultati i vendosur që në minutën e 9’ të ndeshjes.


Bylis – Vllaznia 0-1 /  Shënues: Kalaja 9′
Bylisi: Ruçi, Bilali, Lipi, Brahja, Muskaj, Gava, Tairi, Izuçuku, Edmilson,Hoxhaj, Varea.
Trajner: Adnand Zilxhoviç

Vllaznia: Dragojeviç, Pjeshka, Cicmil, Vrapi, Marku, Krymi, Tafili (Sefa 79’), Bardulla, Çinari, Kalaja (Kapaklija 94’), Shtubina.
Trajner: Armando Cungu

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Astrit Mahmuti, Renato Malaj.
Kartona të verdhë: Lipi, Brahja / Bardulla, Dragojeviç, Krymi





 

Komentet