Ekipi i Vllaznisë bën realitet goditjen e parë në merkaton e janarit. Futbollisti i parë që vishet kuqeblu është mbrojtësi Endri Vrapi. Ish-lojtari i Partizanit ka qenë kërkesa e parë e trajnerit Armando Cungu dhe drejtuesit e klubit ia kanë plotësuar atë. Mbrojtësi 33-vjeçar ka mbërritur paraditen e së shtunës në Shkodër dhe, pasi ka mbyllur gjithçka me drejtuesit e klubit, ka firmosur kontratën, që do ta lidhë atë me Vllazninë deri në fund të sezonit.

Vrapi te Vllaznia

Bashkë me administratorin Astrit Gjyrezi ka firmosur kontratën dypalëshe dhe në fakt drejtuesit e klubit nuk kanë patur dëshirë këtë herë të bëjnë prezantim zyrtar të këtij futbollisti. Megjithatë, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që Endri Vrapi do të jetë futbollist i Vllaznisë deri në fund të këtij sezoni. Ka qenë trajneri Cungu, që e ka kërkuar atë, natyrisht për të përfituar nga përvoja e këtij lojtari dhe pas disa bisedimeve, çdo gjë është mbyllur tashmë. Blerja më e re e kuqebluve nuk ka dashur të humbasë kohë dhe menjëherë pas firmosjes së kontratës është nisur drejt Ulqinit.

Vrapi firmos me Vllaznine

Ai ka udhëtuar nën shoqërinë e drejtorit sportiv, Armir Grima, për t’u vënë në dispozicion të stafit teknik dhe për të nisur stërvitjen bashkë me pjesën tjetër të ekipit. Vrapi natyrisht që nuk do të jetë blerja e vetme e Vllaznisë në merkaton e janarit. Futbollisti i dytë që përflitet se mund të firmosë me të është mesfushori shkodran, Alsid Tafili. Edhe ai, ashtu si Vrapi, nuk ka gjetur hapësirat e duhura te Partizani dhe për këtë arsye po sheh mundësinë për të gjetur ekip tjetër. Dhe Tafili e di se në Shkodër e mirëpresin.

telesport.al ©

Komentet