Vllaznisë, në ndeshjen e nesërme me Laçin, do t’i duhet të bëjë pa kapitenin Shtubina. Ky i fundit është pezulluar sot nga ana e trajnerit Zmijani, ngaqë në seancën e një dite më parë ka thyer disiplinën në stërvitje. Vendimi i është komunikuar lojtarit në seancën e sotme dhe, për rrjedhojë, emri i tij nuk figuron në listën e 18 futbollistëve, që stafi ka përzgjedhur për takimin me kurbinasit.
Nga ana e pjesëtarëve të stafit teknik nuk ka ndonjë koment më shumë, megjithatë mësohet se ditën e hënë është lënë që të ketë një takim me futbollistin për të biseduar për vazhdimësinë. Nga ajo çfarë arrijmë të marrim vesh, në stërvitjen e së premtes, kur trajneri Zmijani nuk ka qenë present, ngaqë ka marrë pjesë në mbledhjen e bordit të klubit, merret vesh që Shtubina ka patur një debat në stërvitje me zëvendëstrajnerin Dibra.
Kjo nuk është pritur mirë dhe për rrjedhojë, sot është vendosur pezullimi i tij për ndeshjen e radhës. Vërtet rezultatet te Vllaznia nuk kanë qenë aspak të mira në këtë fillimsezoni, por ajo që duhet përmendur është se ajo është shquar për rregull e disiplinë.
Të gjithë futbollistët në momentin e firmosjes së kontratës kanë firmosur edhe rregulloren e brendshme të klubit, e cila duhet zbatuar nga ana e futbollistëve. Shtubina e ka thyer atë dhe për rrjedhojë ka marrë ndëshkimin e duhur, pavarësisht se mund ta penalizojë skuadrën me mungesën e tij në ballafaqimin me Laçin.