Ndeshja e javës së pestë të Superligës, ajo mes Vllaznisë dhe Laçit, do të zhvillohet ditën e dielë në Pukë. Ky është lajmi zyrtar që mësohet mbrëmjen e sotme nga klubi shkodran, i cili si mikpritës i ndeshjes, e ka patur në fakt të vështirë të gjejë një stadium për të luajtur këtë takim, por në fund është vendosur që ai, ashtu si dhe dy takimet e tjera të mëparshme, të luhet sërish në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës.

Drejtuesit e klubit shkodran kishin kërkuar në fakt që takimi të luhej në stadiumin “Qemal Stafa”, por nga ana e federatës nuk mbërriti asnjë përgjigje deri në orët e vona të pasdites së sotme dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit shkodran kanë mbyllur gjithçka me drejtuesit e Bashkisë Pukë, për të luajtur sërish në stadiumin e këtij qyteti. Nga sa merret vesh, problemi i vonesës së gjetjes së një stadiumi për të luajtur këtë ndeshje ka ardhur ngaqë shkodranët, duke menduar se nesër në Pukë luhet Tërbuni-Partizani dhe me nisjen e reshjeve, parashikojnë një terren të rënduar të fushës.

Nga klubi Vllaznia bëhet e ditur se nuk ka qenë as mungesë lekësh, as ndonjë problem tjetër me klubet e tjera, thjesht çështje dëshire për të gjetur një fushë sa më të mirë për të luajtur. Megjithatë, në fund u vendos për në Pukë dhe tashmë kjo është e konfirmuar. Do të luhet të dielën, në orën 13.00, në “Ismail Xhemali”. Kështu bien poshtë aludimet dhe spekulimet që klubi Vllaznia nuk ka as 300 mijë lekë të paguajë për të gjetur një fushë.

Komentet