Ndeshja e javës së pestë të kampionatit, ajo mes Vllaznisë dhe Laçit, me shumë të ngjarë do të luhet në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Takimi i programuar për t’u luajtur ditën e diel, në orën 13.00, kësisoj pritet të spostohet në qytetin bregdetar. Lajmi konfirmohet nga burime pranë klubit shkodran, megjithatë, do të jetë dita e nesërme që do të vendosë për këtë gjë.

Për kuqeblutë është një takim shumë i rëndësishëm ngaqë nisja që ata i kanë bërë kampionatit është aspak e mirë, me katër humbje të pësuara në po kaq ndeshje të luajtura dhe, për këtë arsye, pritet patjetër kthesa dhe marrja e pikëve të para nga ana e tyre. Trajneri Zmijani herëpashere ka shprehur besimin e tij të plotë te kontigjenti i futbollistëve që ka përzgjedhur për të përballuar këtë sezon, megjithatë, kjo nuk mjafton, sepse duhet një përkushtim i tyre maksimal në ndeshje dhe po ashtu, bërja e sa më pak gabimeve, sidomos në mbrojtje.

 

Puna ka nisur ditën e sotme për këtë gjë, pikërisht për të korrigjuar këto gabime të bëra më parë. Kuptohet, nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi Laçi ka treguar se është një skuadër që nuk mundet kollaj. Në pankinën kundërshtare do të jetë shkodrani Armando Cungu, që padiskutim do të kërkojë fitoren, megjithatë, duhet parë reagimi i Vllaznisë në fushë. Do të vazhdojë serinë e rezultateve negative apo ka ardhur koha për të nisur një seri rezultatesh pozitive.

Komentet