Mbrojtësi Polizoi Arbri e ka përjetuar keq ndëshkimin që gjyqtari Kreshnik Cjapi i dha dje atij dhe Vllaznisë. Beratasi i kuqebluve e la fushën në minutën e 41-të dhe, sipas tij, gjyqtari gaboi rëndë dhe ndikoi në rezultatin e ndeshjes. Sipas Arbrit, Partizani fitoi me ndihmën e gjyqtarëve, ndërsa Vllaznia meritonte shumë herë më shumë në sfidën e djeshme. “Më vjen keq që e lashë ekipin me 10 veta. Mirëpo, duhet të më mirëkuptojnë të gjithë se ajo nuk ndodhi për fajin tim, por të gjyqtarit Kreshnik Cjapi. Për mendimin tim, penalltia e akorduar nuk ishte e saktë, sepse dorën e pata ngjitur me trupin. Ne ishim më mirë se Partizani, e dominuam lojën dhe rezultati i pjesës parë duhet të ishte 1-0 për ne. Është e qartë që Vllaznia u penalizua nga gjyqtari dhe se për 50 minuta ekipi luajti me 10 veta. Për këtë gjë më vjen keq, si dhe mendoj që Partizanit iu desh ndihma e gjyqtarit për të fituar. Edhe pse me një lojtar më pak, ekipi bëri një pjesë të dytë pozitive. Kam besim se Vllaznisë nuk do t’i mungojnë rezultatet pozitive në ndeshjet e radhës”, u shpreh Arbri pas ndeshjes.

Komentet