Vllaznia barazon me shifrat 1-1 në Pogradec. Shkodranët, edhe pse kaluan të parët në avantazh me anë të libanezit Kdouh, nuk rezistuan dot deri në fund. Në të 82-ën ka menduar Çekiçi që të baraspeshojë rezultatin, duke u komplikuar jo pak punët kuqebluve për kualifikimin. Ka qenë një duel i luftuar në fakt dhe kjo duket qartë nga të verdhët. Madje, ekipi i Zmijanit u detyrua që ta mbyllte këtë 90- minutësh në inferioritet numerik, pasi Gurishta e Krymi morën nga dy të verdhë secili.
Pogradeci ushtron presion që në start. Në të 3-ën Alillari, i vetëm përballë portierit, nuk arrin dot t’i zhbllokojë shifrat. Pak më vonë, shkodranët hedhin vështrimin në gjysmëfushën e vendësve, ku tashmë loja bëhet më e shpejtë me kombinime të bukura. Kundërsulmi i Vllaznisë sjell edhe golin e parë. Në të 18-ën sulmuesi libanez, Muhamed Kdouh, nuk shpërdoron një top që vjen nga krahët dhe 0-1. Goli u jep zemër kuqebluve, të cilët shtojnë sulmet në portën e Pogradecit. Vendësit mundohen të organizojnë, por miqtë janë të pakalueshëm në mbrojtje. Pogradeci nuk dorëzohet dhe në të 40-ën e gjuan dy herë radhazi portën, por pa rezultat. Kjo pjesë ka mjaft ritëm, por jo gola.
E dyta nis me Vllazninë në sulm. Ekipi i Zmijanit rrezikon disa herë portën e Bytyçit, por portieri tregon mjeshtërinë e vet. Pak më vonë, Çekiçi në aksion individual gjuan fort, por portieri shkodran është në gatishmëri. Martinez shpërdoron në të 54-ën, edhe pse i vetëm përballë portierit nuk arrin te shenoje. Pogradeci nuk e pranon humbjen dhe hidhet i tëri në sulm. Pas daljes së Gurishtës me të kuq (pasi mori të dytin të verdhë), shkodranët mbrohen me forca të shumta. Pogradeci vazhdon të krijojë volum loje dhe arrin të gjejë golin. Në të 82-ën, Liçkollari hyn bukur në zonë, pason te Çekiçi, i cili gjuan fluturimthi dhe 1-1. Në të 86-ën Shkullaku ishte pranë golit të dytë, por portieri mik pret në pozicion. E megjithatë, kur po afronte fundi, në të 90-ën vjen edhe i kuqi i dytë, këtë herë është Krymi që merr të dytin të verdhë, duke u larguar nga fusha para kohe.
POGRADECI-VLLAZNIA 1-1
GOLAT: Çekiçi 82’/ Kdouh 18′
POGRADECI: Bytyçi, Çerepi, Hidri (Kuqo 46′), Zguro, Çela, Xh.Liçkollari, Jahaj, Zeqollari, Shkullaku, Alillari (J.Liçkollari 66′), Pengu (Çekiçi 46′); Trajner: G.Stojku.
VLLAZNIA: Dragojeviç, Gurishta, Maxhaj, Marku, Halilaj, Krymi, Sefa (Haxhibuliç 48′), Shtubina, Lushtaku (Soza 57′), Muhamed (Ahmeti 42′),Martinez; Trajner: L.Zmijani.
GJYQTARË: F.Xhemalaj, E.Sinanaj, E. Gjoni (Elbasan).
VËZHGUES: Y.Mane / Delegat: B.Meçe.
KARTONË TË VERDHË: Gurishta 17′, 69′, Krymi 44′, 89′, Marku 66′
KARTONË TË KUQ: Gurishta 69′ (2V), Krymi 89′ (2V).

Komentet