Paraqitja e djeshme ndaj Partizanit ka qenë e mirë dhe për këtë arsye futbollistët e Vllaznisë sot kanë marrë përgëzimet nga ana e drejtuesve të lartë të klubit, të cilët i kanë inkurajuar për të vazhduar në këtë rrugë. Administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima kanë qenë pasditen e sotme para skuadrës në momentin e nisjes së stërvitjes për t’i përgëzuar për atë paraqitje që bënë ndaj Partizanit, pavarësisht humbjes, që erdhi nga shkaqe të tjera.
“Ju përgëzoj për atë çfarë keni dhënë në fushën e lojës në këtë takim dhe treguat se dini të luani futboll, prandaj e rëndësishme për ju është të luani sërish në këto nivele dhe të mos bini më poshtë. Kemi humbur, por jo për fajin tuaj. Duhet të ngrini kokën dhe të vazhdoni përpara”, – u ka thënë drejtori Grima. Ndërkohë, administratori Kalamishi ka shkuar edhe më tej, duke thënë:“Bravo ju qoftë për atë lojë që zhvilluat. Sa për gjyqtarin e ndeshjes, do merremi ne me të. I kemi kërkuar federatës sot të marrë masat e duhura, ndryshe gjërat do të marrin rrjedhë tjetër. Ne nuk mund të lëmë askënd të tallet me Vllazninë. Ndoshta e konsiderojnë si ‘mall pa zot’, ngaqë nuk ka një president të fortë në krye të klubit, por askush nuk mund të tallet me një qytet të tërë”.
Administratori i klubit ka folur edhe për ndonjë thashethem që ka qarkulluar në rrjetet sociale, kryesisht për një largim të mundshëm të trajnerit Zmijani: “Ky trajner ka besimin tonë të plotë dhe duhet ta keni të qartë të gjithë këtë gjë, ju dhe ata që flasin lart e poshtë. Ky trajner ju ka zgjedhur të gjithëve ju dhe së bashku duhet të punoni fort për të çuar emrin e Vllaznisë aty ku duhet dhe të mos merreni me thashetheme të ndryshme që mund të dalin çdo ditë”.
telesport.al ©
Drejtuesit e Vllaznisë, lojtarëve: Luani si ndaj Partizanit!
Grima: "Ju përgëzoj për atë çfarë keni dhënë në fushën e lojës në këtë takim dhe treguat se dini të luani futboll, prandaj e rëndësishme për ju është të luani sërish në këto nivele dhe të mos bini më poshtë” Kalamishi: “Zmijani ka besimin tonë të plotë dhe duhet ta keni të qartë të gjithë këtë gjë, ju dhe ata që flasin lart e poshtë. Ky trajner ju ka zgjedhur të gjithëve ju dhe duhet të punoni fort për të çuar emrin e Vllaznisë aty ku duhet, mos u merrni me thashetheme”
Komentet