Ekipi i Vllaznisë është nisur mbasditën e sotme drejt Sllovenisë për të zhvilluar fazën përgatitore. Shkodranët do të qëndrojnë në shtetin slloven deri me 15 Gusht, pra një periudhë prej 12 ditësh. Edhe pse më parë flitej për shtetin malazez apo serb ku ekipi do të zhvillonte fazën përgatitore, ashtu siç dihet do të jetë Rogla e Sllovenisë vendi ku ekipi do të akomodohet gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, priten të zhvillohen disa ndeshje miqësore dhe të afrohen lojtarë të tjerë në provë. Nisja e ekipit të Vllaznisë nga qyteti i Shkodrës është bërë rreth orës 16:15, afër sheshit 2 Prilli.
LOJTARËT E GRUMBULLUAR 
Edhe gjatë fazës përgatitore në Slloveni, ekipi do të jetë i drejtuar nga treshja Zmijani – Dibra – Dani, ndërsa administratori Kalamishi nuk ka udhëtuar me ekipin. Përsa i përket lojtarëve të grumbulluar bie në sy mungesa e portjerit Selimaj, mesfushorit Kalaja dhe sulmuesit Paviçeviç. Të tre këto lojtarë nuk kanë udhëtuar me ekipin e Vllaznisë dhe arsyet e mungesës së tyre nuk janë të qarta. Nëse portjeri Selimaj vazhdon të vuajë akoma dëmtimin e sezonit të kaluar, edhe pse ka kaluar një kohë tepër e gjatë, Kalaja dhe Paviçeviç kanë marrë pjesë në seancat e fundit stërvitore të ekipit të Vllaznisë. Kalaja është rikthyer pas një dëmtimi të pësuar në gjysmën e sezonit, ndërsa Paviçeviç nuk po kalon një gjendje të mirë fizike. As mbrojtësi shkodran Kraja nuk ka udhëtuar me ekipin, ndërsa lojtarët e tjerë që kanë qenë në provë këto ditë nuk kanë bindur stafin teknik dhe janë larguar nga skuadra.
Këto janë futbollistët që janë nisur drejt Sllovenisë:
Portjerë: Dragojeviç, Sherri.
Mbrojtës: Pjeshka, Borshi, Hakaj, Cicmil, Gurishta, Beci, Marku, Ruçi, Haxhaj.
Mesfushorë: Krymi, Bardulla, Dyca, Kapaklija, Shtubina, Selmani, Ahmeti.
Sulmues: Çinari, Kiri, Kabuni.
Gjithashtu, duhet theksuar se futbollistët dhe stafi teknik janë pajisur me veshjet e kompanisë Onze, por këto veshje do ti shërbejnë ekipit vetëm për seancat stërvitore, ndërsa fanellat për ndeshjet zyrtare nuk kanë ardhur akoma. E rëndësishme është se ekipi do të zhvillojë fazën përgatitore në kushte optimale në shtetin slloven dhe pritet të jetë i gatshëm për sezonin e ri futbollistik 2015 – 2016.

Denis Bajraktari
ShkodraPress.com

Komentet