Ironi e pamëshirshme e fatit, nga ai incident në “Qemal Stafa” mund të përfitojë Vllaznia. Klubi më i vjetër në futbollin shqiptar që është endur në kaos në vitet e fundit si pasojë e një menaxhimi aspak rezultativ nga ana e Bashkisë mund të shikojë papritmas në drejtim një President që ka treguar me prova se falë punës së palodhur e investimit të pakursyer di si të arrijë suksesin në kohë sa më të shkurtër. Për realizimin e kësaj lëvizjeje të bujshme janë hedhur madje edhe hapat e parë konkretë. Safet Gjici ka nisur bisedimet me drejtuesit e pushtetit lokal në Shkodër me të cilët është arritur në parim një akord për të marrë drejtimin e Vllaznisë. Me Safet Gjicin në krye të Vllaznisë do të ndryshojnë domosdoshmërish edhe raportet e forcave në Kategorinë Superiore pasi me një president të tillë, klubi legjendë i futbollit shqiptar do t’i rikthehet menjëherë në një pretendent për titullin duke lënë pas kujtimet e dhimbshme të viteve të fundit në luftën për mbijetesë.
Sport Ekspres
Gjici drejt presidencës, akord në parim me Bashkinë e Shkodrës
Presidenti i Kukësit ka nisur zyrtarisht interesimin për të qenë në krye të shkodranëve për sezonin e ardhshëm futbollistik. Safet Gjici drejt Vllaznisë. Sipas “SuperSport”, tashmë është shumë më tepër se një hipoteze, është një mundësi reale që i ka të gjitha gjasat për t’u konkretizuar. Safet Gjici pritet të marrë presidencën e klubit shkodran për ta drejtuar atë që sezonin e ardhshëm. Që nga ai moment kur në tribunën e “Qemal Stafës” shikonte që një gur i burracak t’i shkatërronte investimin dhe gjithçka kishte ndërtuar me mund, pasion e sakrificë te Kukësi e deri më tani te presidenti i nënkampionëve të Shqipërisë është pjekur mendimi për të lënë Kukësin që e bëri nga një emër thuajse anonim të futbollit shqiptar në skuadrën më të suksesshme shqiptare të këtyre viteve të fundit në arenën europiane.
Komentet